Kosova

Bosch reagon ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-së për Referendumin serb, e quan “gënjeshtar”


Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar pas deklaratës së Zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke e quajtur atë “gënjeshtar”, pasi ky i fundit ka shprehur keqardhje që autoritetet e Kosovës nuk e lejuan votimin e qytetarëve serb të Kosovës për Referendumin kushtetues në Serbi.

Sipas Bosch, serbët në Kosovë kanë mundur të votojnë në Referendum përmes postës ose zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë ashtu siç parasheh ligji ndërkombëtar.

“Stano është budalla? Ai thotë të pavërteta flagrante, duhet të ketë turp”, ka shkruar Bosch në rrjetin e tij social në Facebook.

Peter Stano

Ndryshe në një deklaratë të Shërbimit për Veprim të Jashtëm të BE-së është shkruar se institucionet e Brukselit shprehin keqardhje që autoritetet e Kosovës nuk e lejuan votimin e qytetarëve serbë të Kosovës për referendumin kushtetues në Serbi.

Në këtë deklaratë Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka ritheksuar se përkundër faktit se nuk ka marrëveshje për këtë “ekziston ende një praktikë” sipas së cilës nga viti 2012 deri në vitin 2020, serbët e Kosovës mund të votonin në Kosovë, dhe votat janë mbledhur nga OSBE-ja.

Më 12 janar të këtij viti Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një bisede telefonike ia kishte bërë të qartë Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politik të Jashtme, Josep Borrell se Serbet në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, e assesi brenda territorit të Kosovës.

Reagimi ndaj qëndrimit të parit të ekzekutivit qe e menjëhershme nga ana e shteteve të QUINT-it të cilët përmes një komunikate të përbashkët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë që serbet në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Qëndrimi i shtetit të Kosovës në lidhje me mos-lejimin e zhvillimit të referendumit serb në Kosovë ishte ri-konfirmuar edhe pas takimit që krerët institucional të vendit kishin pasur me ambasadorët e QUINTI-it të premten e 14 janarit.

“Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhej mes tjerash në deklaratën e përbashkët të tre liderëve të shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

Kuvendi i Kosovës

Mos-lejimi i organizimit të referendumit serb në Kosovë u betonua edhe me miratimin e një rezolute nga ana e Kuvendit të Kosovës, të shtunën e 15 janarit ku 76 deputetët kosovarë në një seancë të jashtëzakonshme një zëri votuan për rezolutën e cila konfirmoi qëndrimin e shtetit të Kosovës për parandalimin e Referendumit serb në Kosovë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës si dhe normat dhe praktikat ndërkombëtare”, thuhej në njërën ndër tetë pikat e rezolutës, të harmonizuar mes 4 grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore