Shqipëria

“Borxhi u rrit për shkak të pandemisë dhe tërmetit”


Të hënën e 1 nëntorit, ministrja e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se borxhi u rrit për shkak të pandemisë dhe tërmetit.

Kjo deklaratë erdhi në prezantimin e projekt-buxhetit për vitin 2022, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

“Buxheti që keni përpara parashikon ulje graduale të borxhit dhe deficitit në zbatim të ligjit organik të buxhetit”, kështu iu drejtua Ibrahimaj anëtarëve të Komisionit.

Më tej, ajo theksoi faktin se, “nuk është e vërtetë që ne parashikojmë të vijojmë me rritjen e borxhit”.

Sipas saj, borxhi është rritur në të gjitha vendet, për shkak të pandemisë dhe jo për faj të papërgjeshmërisë së qeverisë shqiptare.

Për sa i përket Eurobondi-t, Ministrja tha se po përgatitet një strategji për mbështetje buxhetore.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri, Delina Ibrahimaj.

“Informaliteti nuk është dukuri që mund të pasqyrohet në një buxhet”, vijoi Ibrahimaj, duke iu drejtuar spekulimeve rreth kësaj çështjeje.

Duke u ndalur te kjo e fundit, ajo tha se kryefjala është “digjitalizimi” dhe “reforma e fiskalizimit”.

“Çdo faturë dhe transaksion i kryer do të jetë i lexueshëm nga administrata”, ravijëzoi ajo.

Ndër të tjera, ritheksoi dhe njëherë faktin se nga ky projekt-buxhet do të ketë rritje ekonomike mbi 4% për vitin e ardhshëm.

“Për vitin 2021 presim rritje 7.6% dhe në vitin që vjen mbi 4%. Produkti i Brendshëm Bruto për banor në vitin 2013 ka qenë në vlerën 466 mijë lekë, shkoi 568 mijë lekë në vitin 2020 dhe pritet që të jetë 661 mijë lekë për banor në vitin 2022”, ravijëzoi ajo.

Ministrja, duke e cilësuar si buxhetin më të madh të histori, theksoi dhe njëherë faktin se, “ky dokument fokusohet te vijimi i reformave për rritje ekonomike dhe punësim, mbështetja e shtresave në nevojë, rritja e produktivitetit, forcimi i shtetit ligjor, digjitalizimi i ekonomisë dhe projektet në infrastrukturë”.

Në përfundim, ajo tha se për turizmin do të jepen 1 miliard lekë garanci dhe 500 milionë lekë për pastrimin e mjedisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore