Shqipëria

Komisioni për Ekonominë miraton projektligjin për Eurobondin, brenda javës në Kuvend


Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi të hënën e 25 tetorit, projektligjin për Eurobondin.

Miratimi përfshin përjashtimet nga tatimet e taksat dhe parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti.

Këto, në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë.

Ish-ministrja e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri, Anila Denaj, e cila është anëtare e komisionit për Partinë Socialiste, ka shkruar në Twitter se theksi u vendos te fakti që Shqipëria vjen nga një histori suksesi në daljet e saj në tregjet ndërkombëtare.

Ish-ministrja e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri, Anila Denaj

“Perfomanca financiare dhe reformat e rëndësishme shtuan besimin te investitorët e huaj”, nënvizon Denaj.

Për ish-ministren, vlerësimet pozitive të bëra nga agjencitë prestigjioze Moody’s dhe Standard & Poors për financat publike dhe ekonominë janë një bazë e fortë për arritjen e suksesit në muajin nëntor.

Eurobondi

Lajmin fillestar se Shqipëria ishte gati për të emetuar Eurobondin e radhës, e dha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, më 13 tetor.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj zbardhi pikërisht vendimin mbi daljen në tregje ndërkombëtare.

Sipas Ibrahimajt, ky projektvendim i Qeverisë vjen me qëllim garantimin e financimit të deficitit në Shqipëri.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj

Eurobondi i radhës pritet të jetë në shifrat nga 500 deri në 700 milionë euro.

Eurobondi i fundit i emetuar ishte 650 milionë euro, më 9 qershor 2020. Kuponi asokohe ishte prej 3.65% me një afat maturimi shtatë-vjeçar. Këtë herë, shifra mund të shohë rritje.

Hyrja në tregje tani, bëhet me arsye për ta emetuar atë menjëherë, në çastin kur interesat janë më së shumti të ulëta, siç e ka përkufizuar më parë edhe vetë ministrja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore