Shqipëria

Rritje pagash, mirëqenia dhe mjedisi – Fokusi i Projekt-Buxhetit 2022


Të premten e 22 tetorit, qeveria shqiptare zbuloi përpara mediave projekt-buxhetin për vitin 2022.

Fokusi i përgjithshëm i buxhetit për vitin e ardhshëm – që pritet të miratohet – do të jetë rritja e pagave, mirëqenia sociale dhe çështjet e mjedisit.

Kjo e fundit u përmend edhe më herët nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me kryebashkiakët.

Fillimisht ishte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, që shpalosi projekt-buxhetin.

Në fjalën e saj, ajo foli për një rritje prej 10% të programit të ndihmës ekonomike si një mburojë sociale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu

Ajo bëri me dije gjithashtu se do të ketë rritje të buxhetit për personelin mjekësor, duke e çuar në masën 6% rritjen për këtë kategori të të punësuarve.

Më pas, ishte radha e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila theksoi se do të ketë rritje të pagës së mësuesve dhe 600 punonjësve psiko-socialë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi

Paga e mësuesve, sipas ministres Kushi, do të ketë një rritje të projektuar me 6%.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Shqipëri, Bora Muzhaqi, deklaroi më tej se do të ketë një buxhet në mbështetje të projekteve e universiteteve me programe bashkëkohorë, si ato të shteteve evropiane.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Shqipëri, Bora Muzhaqi

Gjithashtu ministrja e re bëri me dije se, do të ketë fokus për zgjidhjen e problematikave të laboratorëve nëpër shkollat dhe universitetet e vendit.

Menaxhimi i mbetjeve në të gjithë territorin ishte prioritet i ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro

Për ministren Kumbaro, kjo nismë do të jetë një urë që do të mbështesë më tej zhvillimin e turizmit përmes agjencive qeveritare.

Ajo ravijëzoi se mjedisi është mbështetur në mënyrë të pazakontë – krahasuar me vitet e tjera.

Kultura, fokus të vitit 2022, do të ketë aprovimin e Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe disa nisma të tjera.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti

Këtë theksoi ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Më tej, ajo bëri me dije se banesa e Toptanasve do të kalojë në projekt restaurimi dhe rijetëzimi.

Rritje pagash do të ketë edhe në radhët e punonjësve të Policisë.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, solli në vëmendje gjatë fjalës së tij se do të ketë investime në infrastrukturën digjitale dhe teknologjike.

Kjo e fundit do të rrisë efikasitetin, sipas tij, në luftën kundër krimit.

Nga e majta, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi

Në të njëjtën linjë qëndroi dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ai shtoi se pagat e punonjësve për policinë e burgjeve do të barazohen me ato të Policisë së Shtetit.

Manja foli edhe për një njëjtësim të pagave midis grave dhe burrave në radhët e policisë së burgjeve në projekt-buxhetin e ministrisë.

Rritja e tavanit buxhetor për nismat e mandatit “Rama 3” ishte në vëmendjen e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca

Në deklaratën e saj, Krifca garantoi se do të ketë mbështetje për fermerët dhe peshkatarët me gjithë flotat e tyre të peshkimit.

Ajo kujtoi se eksportet janë rritur me 14% dhe ky, sipas saj, është një lajm shumë i mirë.

Prezantimin e projekt-buxhetit e mbylli ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Rritja ekonomike e Shqipërisë, në fjalën e zyrtares, lidhet me rritjen e shpenzimeve në të gjithë sektorët.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj

“Investimet në infrastrukturë, mbrojtje sociale (për shtresat më në nevojë), rritja e produktivitetit në sektorë të ndryshëm do të ketë si kryefjalë rritjen e ligjshmërisë”, deklaroi Ibrahimaj.

Duke folur më tej, ministrja tha se të gjitha këto rritje do të pasohen me një rritje ekonomike me 4%.

Sa u takon taksave, ky buxhet, sipas saj, parashikon “një rritje natyrale të tyre”.

Në përmbyllje, referuar pyetjes së gazetarëve, Ibrahimaj bëri me dije se nga viti i ardhshëm do të ketë një fond të caktuar në buxhet për bonusin e pensionistëve – bashkëngjitur rritjes së pensioneve, e cila do të bëhet me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore