Shqipëria

Borrell thotë se po punohet për zbatimin e “një shtojce” në marrëveshjen Kosovë-Serbi


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi se po punohet për zbatimin e një shtojce në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënies mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajmi u bë i ditur pas përfundimit të takimi ndërkombëtar ministror mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Kjo ishte hera e parë që Mbledhja e Këshillit të Stabilizim-Asociimit zhvillohej në Tiranë.

“Gjuha dhe teksti i kësaj marrëveshjeje është mbyllur. Kjo marrëveshje sjell shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënies mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk po punojmë vetëm për marrëveshjen në vetvete, po punojmë për zbatimin e saj”, u shpreh fillimisht Borrell.

Sipas kryediplomatit evropian, ky zbatim është një shtojcë, një pjesë përbërëse e vetë marrëveshjes.

Borrell shtoi se shtojca do të detyrojë palët të sigurojnë dhe të kenë të njëjtin kuptim për sa i përket afateve dhe modaliteteve.

Ditë më parë, Albanian Post publikoi një dokument që vërente se një shtojcë e re mund të bëhet pjesë e aneksit të udhërrëfyesit për implementimin e Marrëveshjes për rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo, si mënyrë për ta qetësuar Serbinë dhe pajtuar Aleksandër Vuçiç-in për Nenin 4 të Marrëveshjes.

Dokument – Ekskluzive: Përpilohet një shtojcë e re në udhërrëfyes për ta tejkaluar ngërçin e Nenit 4, hartuesit i tregojnë Vuçiç’it se e ka keqlexuar paragrafin

Duke iu kthyer takimit, përfaqësuesi evropian deklaroi se mesashi kryesor i ministerialit të 16 marsit ishte angazhimi i patundur për integrimin evropian të Shqipërisë.

“Zakonisht këto mbledhje dhe takime të rëndësishme vjetore mbahen në Bruksel ose në Luksemburg. Jemi në Tiranë, për t’i treguar popullit shqiptar që Bashkimi Evropian po iu afrohet gjithmonë e më shumë”, tha zyrtari evropian.

Sipas tij, me këtë zgjedhjet autoritetet evropiane duan të japin një sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e Bashkimit Evropian në rrugëtimin e Shqipërisë.

“Mesazhi kryesor i këtij takimi është angazhimi jonë i patundur për integrimin evropian të Shqipërisë”, theksoi kryediplomati evropian.

Borrell mori garanci nga kryeministri Rama gjithashtu se skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej.

“Dua të pranoj dhe të vlerësoj se ky vend ka treguar pjekuri në të gjitha reformat, sidomos në drejtësi e cila ka ecur përpara. Institucionet shqiptare duhet të përshpejtojnë reformat. Patëm mundësi të mirëpresim vendimin e kryeministrit që nuk do të bëhet miratimi i pasaportave të arta”, shtoi Borrell.

Për kryediplomatin evropian, Shqipëria ka treguar frymën e vërtetë evropiane, duke vepruar plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të BE-së.

“Mbështetja konkrete në fushën e energjisë prej 80 milionë eurosh është nënshkruar dhe këto para do vihen në dispozicion shumë shpejt. Është mirë të dimë që mund të mbështetemi te partnerët tanë”, ravijëzoi në përmbyllje Borrell,

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian mbërriti më herët në Tiranë për Këshillin e 12-të të Stabilizim Asociimit.

“Gëzohem që e nis ditën time në Tiranë ku do të mbajmë Këshillin e Stabilizim-Asociimit me Kryeministrin Edi Rama – historikisht për herë të parë në Shqipëri. Kjo pasqyron angazhimin e qartë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe vlerësimin për orientimin e saj strategjik edhe në politikën e jashtme”, shkruante Borrell.

Një ditë më pas, autoritetet evropiane do të zhvendosen në Shkup për t’u takuar me përfaqësues të qeverisë maqedonase për Këshillin e 16-të të Stabilizim Asociimit.

Si Varhelyi dhe Borrell kanë qenë dy zëra mbështetës së integrimit evropian të Shqipërisë.

Borrell shpesh ka theksuar se ka ardhur koha të rijetësohet procesi i zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e pakthyeshme e Bashkimit Evropian.

“Të qenët të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë. Ka ardhur koha që të rigjallërohet procesi i zgjerimit. E di që këtë ndoshta e keni dëgjuar edhe herë të tjera në të shkuarën”, tha Borrell në një konferencë për media më kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Ai vlerësoi rreshtimin e Shqipërisë me vendet tjera të BE-së, duke thënë se “Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë dhe të qëndrueshëm në negociatat me Bashkimin Evropian, ku tashmë grupi i dytë i kapitujve, është shqyrtuar plotësisht.

Tryezat e këtij formati janë dypalëshe dhe organizohen në sesione të ndryshme.

“Procesi i negociatave për anëtarësimin në BE po ecën përpara me diskutime të frytshme mbi tregun e brendshëm e lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”.

Kështu shkruhet në faqen zyrtare të zyrës së BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë.

Nisja zyrtare e shqyrtimit të kapitujve për Shqipërinë ishte më 30 janar, kur patën fillesë edhe takimet dypalëshe mes delegacionit shqiptar dhe atij të BE-së.

Kapitulli i parë i hapur më 30 janar, kishte të bënte pikërisht me lëvizjen e lirë të mallrave.

Më herët, Delegacioni i BE-së në Tiranë e ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE, e cila po ecën përpara.

Gjithashtu, ka përfunduar edhe procesi i shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, që fokusohen kryesisht në të drejtat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore