Lajme

“Borrell e legjitimoi bojkotin e zgjedhjeve nga serbët në Veri”


Foto: Albanian Post

Në takimin e nivelit të lartë në Brukesl në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, përveç asaj çka parashihte agjenda zyrtare u bisedua edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në Veri të Kosovës të mbajtura të dielën e 23 prillit.

Josep Borrell në një konferencë për media pas përfundimit të takimit tha se situata në pjesën Veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – mund të përshkallëzohet sërish.

Ai deklaroi se pjesëmarrja e ulët e votuesve në zgjedhjet e 23 prillit treguan se këto zgjedhje nuk do të japin zgjidhje afatgjate, për më tepër, konsideroi se “përshkallëzimi i situatës mund të rikthehet, me tensione edhe më të larta”.

Të prononcuarit e Albanian Post, Branislav Krstiç dhe Nexhmedin Spahiu, analistë politikë, të dy nga Mitrovica, njëri nga Veriu e tjetri nga Jugu, për situatën e krijuar në Veri të Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat atje, dhe për deklarimet e Borrellit kanë mendime të ndryshme.

Sipas Nexhmedin Spahiut, “këto zgjedhje shërbejnë për një qëllim”, siç thotë ai “në mënyrë që të kryhen disa punë që kryetarët serbë nuk mund t’i bëjnë, për shkak se do të akuzoheshin për tradhti”.

“Prandaj këto do t’i bëjnë kryetarët shqiptarë”, tha ai për AP.

Nexhmedin Spahiu

Ndryshe nga Spahiu, analisti nga Veriu, Branislav Krstiç, vlerëson se “autoritetet në Prishtinë nuk kanë mekanizma për të bindur serbët që të zbatojnë ndonjë vendim të njëanshëm”, dhe vazhdoi të thotë se qeveria e Kosovës që udhëhiqet nga Albin Kurti, nuk diti që ta shfrytëzojë mundësinë që e pati për ta mposhtur partinë më të madhe serbe në Kosovë, Listën Serbe, e cila i bojkotoi këto zgjedhje, dhe që është e dirigjuar drejtpërdrejtë nga Beogradi.

Branislav Krstiç

“Fakti është se Qeveria e Kosovës humbi mundësinë që Lista Serbe të mposhtet në këto zgjedhje. Ishte e nevojshme vetëm të ftoheshin lëvizjet opozitare, partitë dhe aktivistët e pavarur në një takim me partnerët ndërkombëtarë një muaj para zgjedhjeve dhe t’u jepej atyre mbështetje e qartë. Nëse kjo do të ishte bërë sot, do të kishim disa mijëra serbë që morën pjesë në zgjedhje dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor”, tha ai për AP.

Ndërsa, Krstiç beson se në kushtet që u ofruan “merre ose lëre”, pushtetarët vetëm sa homogjenizuan serbët, kështu që “edhe ata që janë kundër Listës Serbe dhe politikave të kabinetit të Presidentit serb për vite me radhë, hoqën dorë nga procesi zgjedhor”.

Në zgjedhjet në Veri nga mbi 40 mijë persona me të drejtë vote, të drejtën e tyre e shfrytëzuan pak më shumë se 1 mijë. Bojkotimi nga partitë serbe në Kosovë, si dhe thirrjet dhe kërcënimet e tyre dhe të të gjitha institucioneve në Serbi për t’i bojkotuar këto zgjedhje, si reaksion krijuan bojkotin masiv të serbëve në Kosovë.

Për këtë u shpreh i shqetësuar edhe Josep Borrell, madje ai paralajmëron se mund të ketë edhe përkeqësim të situatës në atë pjesë të Kosovës.

“Shpreha brengën e madhe sa i përket gjendjes në veri pas zgjedhjeve të fundit me një shkallë të ulët të daljes në zgjedhje. Duke marrë parasysh këtë shkallë, këto zgjedhje nuk është se ofrojnë ndonjë zgjidhje afatgjate. Ndoshta e kundërta, kanë potencial që të çojnë drejt përshkallëzimit dhe për të minuar implementimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kjo nuk është ajo që duam”, tha Borrell.

Analisti serb nga Kosova nënvizon se këto deklarata të Borrellit “në terren  mund të nënkuptojnë se është e diskutueshme mundësia që autoritetet e sapozgjedhura lokale t’i marrin objektet komunale në veri të Kosovës”.

“Mendoj se edhe kryeministri Kurti e ka të qartë se shteti i Kosovës nuk ka fituar asgjë me këto zgjedhje. Procesi zgjedhor nuk ka legjitimitet. Nga ana tjetër, Borell thotë se bojkoti është legjitim”, thotë ai për AP.

Ndërsa, sipas Spahiut, duke komentuar deklaratat e Borrellit, pohoi se disa nga çështjet që do t’i kryejnë kryetarët shqiptarë në komunat veriore, të cilat edhe i përmendi për AP, siç tha ai “janë ngritja e flamurit të Kosovës në ndërtesat e komunave Veriore, rindërtimi i xhamisë së Ibrit, hapja e urës së Ibrit, nisja e një shkolle shqipe në Veri të Mitrovicës”.

E për atë se çfarë paralajmëroi Borrell ai thotë se kjo vjen, pasi që “nuk është e lehtë që të zbres një flamur dhe të ngritët një flamur tjetër”.

“Asamblistët në komunat Veriore do të duhet ta heqin flamurin e Serbisë dhe ta vendosin atë të Kosovës. E, kjo nuk është një gjë që nuk shkakton tensione. Për komunitetitin që e përfaqëson atë flamur që zbritet është një poshtërim, ndërsa për komunitetin që e ngrit flamurin e vetë është një triumf”, tha Spahiu për AP.

Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri të Kosovës, pasi që këto të fundit po konsiderohen jo legjitime për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve atje, Krstiç beson se ato mund të bëhen vetëm pas një marrëveshje politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja, ato do të mund të mbaheshin vetëm pas një marrëveshjeje politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse në të kundërtën do të kishim një bojkot tjetër nga serbët”, potencoi Krstiç për AP.

Ndërsa, Spahiu thotë se pasi që kryetarët shqiptarë në ato komuna të përfundojnë ato cështje që i ceku më lartë, si “ngritja e flamurit të Kosovës në ndërtesat e komunave Veriore, rindërtimi i xhamisë së Ibrit, hapja e urës së Ibrit, nisja e një shkolle shqipe në Veri të Mitrovicës”, sipas tij do të ketë zgjedhje të tjera të parakohshme.

“Në të cilat sigurisht do të marrin pjesë edhe serbët, ku më pas do të formohet edhe Asociacioni, të ngritët edhe flamuri i Asociacionit nëpër kuvendet komunale në ato komuna, por flamuri i Kosovës nuk do të hiqet nga aty”, beson Spahiu.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në Veri të Kosovës, të mbajtura të dielën e 23 prillit, kanë qenë legale dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.

Mirëpo, pjesëmarrja e ulët dhe bojkotimi masiv që u bë nga serbët e Kosovës, të cilët janë shumicë në atë pjesë të Kosovës, ka bërë që nga shumë kush të konsiderohen këto zgjedhje si jolegjitime.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe kontrolluesit faktik të Veriut, dhe njëkohësisht të dirigjuar nga Beogradi zyrtar, i kanë bojkotuar këto zgjedhje, dhe kishin bërë thirrje që qytetarët e atyre komunave të mos marrin pjesë.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore