Lajme

Boris Johnson merr dozën e parë të AstraZeneca-s


 

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar (UK), Boris Johnson, i cili është në moshën 56 vjeç, mori dozën e tij të parë të vaksinës AstraZeneca.

Me marrjen e vaksinës, Johnson bëhet pjesë e më shumë se 26 milionë njerëzve në UK që e kanë marrë dozën e parë.

Ndërsa u largua nga spitali, të premten në mbrëmje, ai u tha gazetarëve: “Unë nuk ndjeva asgjë. Procesi ishte i shpejtë dhe shkoi shumë mirë. Do ua rekomandoja të gjithëve”.

Ai e mori vaksinën e tij në fund të një jave, në të cilën qeveria pranoi se furnizimi i Mbretërisë së Bashkuar me vaksina ka të ngjarë të jetë “më i pakët” duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Kryeministri Johnson kishte zbuluar më parë se do ta merrte vaksinën AstraZeneca.

Kjo, pasi ai adresoi lajmet se disa vende evropiane e kishin pezulluar përdorimin e vaksinës pas shqetësimeve në lidhje me mpiksjen e gjakut.

Franca, Gjermania dhe Italia janë ndër ata që kanë rifilluar vaksinimin me dozën AstraZeneca, pasi Agjencia Evropiane e Barnave(EMA) tha se vaksina ishte “e sigurt dhe efektive”.

Prillin e kaluar, Johnson u trajtua në terapi intensive, pasi u infektua me Covid-19.

Ai gjithashtu u detyrua të vetë-izolohej në nëntor të vitit 2020 pasi u takua me një deputet, i cili më vonë doli pozitiv për sëmundjen.

Mjekët britanik rekomandojnë që edhe njerëzit që tashmë e kanë kaluar coronavirus-in, të vaksinohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore