Lajme

Bombardimi i Kharkiv-it, përshkallëzim i taktikave të Rusisë


Breshëria e artilerisë që Rusia nisi drejt Kharkiv-it është një përshkallëzim i tmerrshëm i taktikave që Moska ka ndërmarrë në sulmin pesë-ditor në Ukrainë.

Dhe për analistët, kjo mund të jetë veç pak nga më e keqja që do të pasojë.

Referuar autoriteteve vendase, bombardimet e rënda në zonat e banuara kishin vrarë dhe plagosur civilë. Pamjet e shpërndara gjerësisht në mediat sociale shfaqën breshëritë rreth blloqeve të apartamenteve.

Shpërthimet ishin të shumta dhe shtëllungat e tymit ngriheshin nga ndërtesat.

“Është luftë, luftë e vërtetë”, ka pohuar Ihor Terekhov, kryebashkiaku i Kharkiv-it.

Sulmi ka ardhur pasi trupat ukrainase zmbrapsën një inkursion rus në qytet një ditë më parë dhe pasuan shkëmbime intensive në periferi të qytetit.

Kharkiv-i, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është objektiv kryesor ushtarak rus, së bashku me kryeqytetin.

Sipas analistëve, qëndron njëfarë frike se përshkallëzimi i forcës kujton fazat e hershme të rrafshimit të Grozn-it nga Rusia në vitin1999. Një nga veprimet e para të Putin-it si president ishte bombardimi i qytetit si pjesë e një lufte kundër separatistëve islamikë.

Lufta la pjesën më të madhe të qytetit nën rrënoja dhe la të vrarë deri në tetë mijë civilë.

Paçka pretendimeve të Putin-it se donte të “çlironte” Ukrainën, Kharkiv-i shtrihet në një zonë rusisht-folëse të Ukrainës, vetëm 40 kilometra nga kufiri.

Edhe Grozn-i ishteqytet rus, por kjo nuk e ndaloi Putin-in.

Në shenjë të asaj që mund të vijë, video të tjera të shpërndara në mediat sociale kanë shfaqur avionët luftarakë rusë SU-34 që fluturonin mbi qytet.

Olga, një banore në Kharkiv-it, e cila ka folur për “Financial Times”, ka thënë se i pa raketat teksa po blinte ushqime në veri-perëndim të qytetit.

“Ishte shurdhuese”, ka thënë ajo për zhurmën e raketave që hidheshin.

Analistët janë të mendimit se përdorimi i breshërive të artilerisë përfaqëson një kthim rus në taktikat e provuara dhe të testuara ushtarake.

Kjo pasi avancimi në Ukrainën veriore dhe lindore u bllokua pas dështimit të asaj që analistët rusë e përshkruan si një qasje fillestare me butësi.

“Udhëzimet nga Kremlin-i ishin që qytetet ukrainase të ktheheshin në gërmadha, duke i çliruar”, ka treguar Pavel Felgenhauer, një ekspert ushtarak rus.

Mirëpo, rezistenca më e fortë nga sa pritej, shkaktoi viktima në radhët ruse.

Po ashtu shkaktoi humbje më të rënda nga sa pritej të tankeve dhe pajisjeve të tjera. Edhe pse Rusia nuk ka dhënë një shifër për numrin e personelit të saj të vrarë dhe të plagosur.

Pretendimet ushtarake ukrainase dhe ruse nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

“Qasja e tyre sulmuese nuk u fokusua te taktikat ruse në fillim të luftës, kështu që mundësia është kthimi në një strategji që funksionon”, ka thënë Henry Boyd, një ekspert ushtarak në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Kharkiv-i tashmë po bombardohet me breshëri”, ka vijuar ai.

Për analistët, pengesat e Rusisë, ndërkohë që nxisin rezistencën ukrainase, kanë rritur mundësinë e bombardimeve të rënda dhe ndoshta sulmeve duke përdorur armë termobarike.

Këto të fundit përdorin oksigjen nga ajri përreth për të gjeneruar një shpërthim intensiv dhe me temperaturë të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore