Lajme

Bolton: 4 vite më parë ishte mundësia për një marrëveshje Kosovë-Serbi, tani jo  


John Bolton

Ndonëse procesi i dialogut ka hyrë në një fazë shumë më dinamike pas angazhimit të Francës dhe Gjermanisë të cilët prodhuan kornizën e re të dialogut apo siç po quhet ndryshe draftin franko-gjerman, për ish-këshilltarin për Siguri Kombëtare të ish-presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, John Bolton, arritja e një marrëveshje ndërmjet dy vendeve është e pamundur, të paktën në këtë periudhë.

Sipas diplomatit amerikan palët kanë humbur momentumin e një marrëveshjeje që do t’i normalizonte marrëdhëniet e tyre, tre apo katër vite më parë.

“Për momentin nuk shoh ndonjë zgjidhje në horizont, siç ishte më parë. Kur isha këshilltar për sigurinë kombëtare në administratën e Presidentit Trump, kisha njëfarë përfshirje në adresimin e kësaj çështjeje. Kishte njerëz që u përpoqën të bënin atë që mundën për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Bolton në një intervistë për gazetën serbe, Politika.

Edhe pse Bolton është skeptik për arritjen e një marrëveshjeje eventuale ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, ai mendon se komuniteti ndërkombëtar duhet të heq dorë nga presioni mbi palët dhe të lë rahat këta të fundit që të vendosin vetë për fatin e tyre.

“Nëse Serbia dhe Kosova mund të pajtohen, me gjithë vështirësitë e brendshme, dhe të arsyetojnë një marrëveshje të tillë, mendoj se në atë rast nuk duhet të ndërhyjnë faktorët e jashtëm dhe të thonë se zgjidhja nuk është e pranueshme për ta, sepse mund të ketë pasoja diku tjetër”, ka pohuar ai.

Sipas tij stabiliteti ndërmjet dy vendeve, por jo vetëm, nuk mund të arrihet nëse Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje.

“Nëse negociatat do t’u lihen palëve të angazhuara, do të jepte rezultate, sepse në të kundërt pengohet hyrja e atyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe NATO”, ka shtuar ai.

John Bolton, sa ishte këshilltari i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ishte përkrahësi i idesë së shkëmbimit të territoreve me baza etnike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një alternativë për arritjen e një marrëveshjeje në kuadër të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore