Lajme

Bogujevci mburret me qeverisjen Kurti në vitin 2021


Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka folur në seancën e të premtes për punën e Qeverisë Kurti gjatë vitit 2021.

Sipas saj, nën qeverisjen Albin Kurti është arritur shkalla më e lartë e vaksinimit kundër COVID-19 në rajon.

“Gjatë vitit që po lëmë pas ishim ne që siguruam dozat e vaksinën Pfizer dhe sot kemi shkallën më të lartë të vaksinimit të popullatës në rajon”. Me këtë rast dua të falënderoj ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për punën që e ka bërë në këtë drejtim. Ishim ne që filluam mbështetjen për shtesat për lehonat dhe fëmijët dhe jo vetëm”.

Po ashtu, Bogujevci theksoi se në aspektin ekonomik, Kosova ka shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik.

“Kosova këtë vit ka shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik në rajon, politika e subvencionimit po vazhdon ende. Ne po e godasim krimin pa dallim etnie dhe jemi në rrugë të mirë në miratimin e bazës ligjore edhe për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme”, tha ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala.

Duke shtuar se “ishim ne që po ndihmojmë bizneset në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe kemi nxitur një dinamikë më të shtuar të aktivitetit ekonomik në vend”.

Shala: Kurti të shpallë gjendje emergjente në Kosovë

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të shpallë gjendje emergjente energjetike.

“Për shkak të paaftësisë, i themi Kurtit të shpallë gjendjen emergjente dhe të lirojë nga detyra një pjesë të kabinetit që mbulojnë sektorin e energjisë”, deklaroi Shala.

Sipas tij, situata e krijuar po bën që të jenë vetëm dy kuptime.

“Kjo situatë ka dy kuptime, diskriminimi po ndodhë pasi në veri të vendit s’ka reduktime e ndalje të rrymës, vijmë deri te pyetjet se cilat janë veprimet që do t’i ndërmerr Qeveria. Nëse s’ka ide, të merr modele nga shtetet përreth. Ku janë rekomandimet e task-forcës, veprimet e tyre s’po i shohim”.

Ndërkaq, theksoi se Kosova është në një krizë të thellë energjetike dhe se pasojat janë të mëdha në të gjitha sferat.

“Ne si Kosovë e dimë se kemi hyrë në krizë, por s’kemi asnjë të dhënë se kur dhe si do të dalim nga kjo krizë. Si dhe sa do të përballojnë qytetarët këtë situatë, në stinë të dimrit”.

“Përgjegjësi kryesor është Qeveria e Kosovës me të gjithë dikasteret. Qeveria s’i ka kryer punët, mungesa totale e mobilizimit , paaftësia e skajshme, orientimi i Qeverisë në zbulimin e fajtorit historik. Për të ardhur në përfundim se qytetarët janë fajtorë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore