Lajme

BMW prezanton modelet e reja Series 7


Kompania BMW ka nisur shitjet paraprake të gjeneratës së shtatë të BMW Series 7.

Ajo ka paraqitur për herë të parë një sedan luksoz tërësisht elektrik, si dhe modele hibride dhe motorë me djegie të brendshme (ICE).

Të tre versionet pritet të montohen në të njëjtën linjë prodhimi në fabrikën e BMW-së në Dingolfing, me dërgesat e para në mbarë botën që do të kryhen nga nëntori i vitit 2022.

Automjeti elektrik i7, konkurrent i EQS-së elektrike të Mercedes-it, do të fillojë nga 119 mijë e 300 dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 135 mijë e 900 euro në Evropë.

Shefi Oliver Zipse ka parashikuar që kërkesa për modelin ICE të jetë më e lartë në SHBA, ku ka rregulla më pak të rrepta të emetimeve të karbonit se sa në Evropë ose në Mbretërinë e Bashkuar.

“Tregjet në Kinë, Evropë dhe Amerikë u zhvilluan krejt ndryshe”, ka thënë Zipse në një tryezë të rrumbullakët në New York.

“Në Evropë ka një treg në rritje të automjeteve elektrike për të gjitha markat. Në SHBA ka një markë që është super e suksesshme. Është krejtësisht ndryshe”, ka vijuar ai.

Dhe se qasja që po ndërmerr kompania për të vendosur fleksibilitetin në fillim “funksionon shumë më mirë”.

Në SHBA, në vitin 2021, tre të katërtat e makinave elektrike të shitura kanë qenë Tesla.

Kjo krahasuar me vetëm 16.4 për qind në Evropë, me markën Volkswagen vetëm rreth 1 mijë e 200 makina pas.

Sipas Zipse, kompanitë duhet të jenë të kujdesshme që të mos varen shumë nga vendet që kontrollojnë burimet thelbësore për automjetet elektrike.

Kurse shefi i shitjeve, Pieter Nota, ka treguar se rritja e çmimit të lëndëve të para të nevojshme për bateritë, e ka bërë edhe më të rëndësishëm vazhdimin e investimit te makinat me motorë me djegie.

Sakaq, të gjitha makinat do të pajisen me aftësitë autonome të drejtimit të Nivel 3.

Por prodhuesi i makinave është në pritje të lejeve nga rregullatorët për të mundësuar funksionin, çka ka të ngjarë të zgjasë rreth një vit e gjysmë në Evropë.

 

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore