Lajme

Blinken zhvilloi bisedë telefonike me Lavrovin


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se ka pasur një bisedë me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Ai e bëri të ditur këtë në një konferencë, shkruan multi-mediali amerikan “CNN”.

Sipas Blinken, biseda ishte “e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë”.

Sekretari i Shtetit raportoi se biseda u fokusua te sanksionet në rast se Federata Ruse vendos të aneksojë territoret e Ukrainës.

Përfaqësuesit e SHBA-ve dhe Federatës Ruse diskutuan gjithashtu zhbllokimin e eksportit të grurit nga Ukraina përmes Detit të Zi.

Në të njëjtën kohë, kryediplomati amerikan theksoi se SHBA-të nuk shohin “asnjë dëshirë” nga ana e Rusisë për të ndaluar agresionin kundër Ukrainës.

Blinken tha se ai i kërkoi Lavrov-it të pajtohej me propozimin e SHBA-ve për lirimin e dy shtetasve amerikanë të ndaluar ilegalisht në Rusi – Paul Whelan dhe basketbollisten Brittney Greiner.

Bëhet fjalë për shkëmbimin e tyre me tregtarin e dënuar rus të armëve Viktor Bout.

“Unë nuk mund t’ju jap një vlerësim të bisedës sonë dhe nëse ajo do të japë rezultate”, shtoi Blinken. “Biseduam pikërisht për atë që kisha planifikuar të flisja me të”.

Njoftimi zyrtar i Departamentit të Shtetit për rezultatet e bisedës nuk është bërë ende publik.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse raportoi se krerët e departamenteve të politikës së jashtme të SHBA dhe Federatës Ruse “diskutuan situatën aktuale në Ukrainë”.

Lavrov “përshkroi qasjet parimore të Rusisë në dritën e operacionit ushtarak special të kryer” dhe përsëriti se “qëllimet dhe objektivat e saj do të përmbushen plotësisht”.

Gjithashtu, pala ruse i “tërhoqi vëmendjen Sekretarit të Shtetit” për “pompimin e Forcave të Armatosura dhe batalioneve kombëtare me armë amerikane dhe të NATO-s”, gjë që, sipas Lavrov, “zgjat konfliktin dhe rrit numrin e viktimave”.

Lidhur me shkëmbimin e mundshëm të të burgosurve të shtetasve të Rusisë dhe SHBA-ve, Federata Ruse i kërkoi palës amerikane që t’i kthehen “diplomacisë së qetë”.

Sergej Lavrov u ankua gjithashtu se sanksionet e vendosura ndaj Federatës Ruse pengojnë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Stamboll për zhbllokimin e eksportit të grurit ukrainas.

“Situata është e komplikuar nga sanksionet amerikane dhe premtimet e Shteteve të Bashkuara për të siguruar tërheqje të përshtatshme për furnizimet ruse të ushqimit nuk janë zbatuar ende”, tha ai.

Biseda e fundit telefonike mes Sekretarit të Shtetit Amerikan Anthony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov u zhvillua më 12 shkurt, 10 ditë para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Federata Ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore