Lajme

Blinken: Kina, sprova më e madhe gjeopolitike


Sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken, deklaroi të mërkurën se “Kina përfaqësonte sprovën më të madhe gjeopolitike të Amerikës të shekullit XXI”, duke thënë se kombi aziatik ishte i vetmi vend me fuqi të mjaftueshme për të rrezikuar rendin aktual ndërkombëtar.

“Marrëdhënia jonë me Kinën do të jetë konkurruese kur duhet, bashkëpunuese kur mund të jetë dhe kundërshtuese kur duhet të jetë”.

Ai theksoi se Kina është i vetmi vend me fuqi ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike që sfidon sistemin e qëndrueshëm dhe të hapur ndërkombëtar.

Në përpjekje për të nxjerrë një kontrast me administratën e mëparshme, e cila kishte një pamje skeptike të organizatave shumëpalëshe, Blinken tha se trajtimi i sfidës së paraqitur nga Kina do të kërkonte bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe punë me aleatë dhe partnerë, “duke mos denigruar ata”.

Lidhur me pandeminë, Blinken u shpreh se, mes synimeve kryesore të politikës së jashtme të administratës së presidentit Joe Biden, është edhe puna për të frenuar pandeminë globale, si dhe trajtimin e kërcënimit global në rritje ndaj demokracisë.

Erozioni i demokracisë nuk po ndodh vetëm në vende të tjera. Po ndodh gjithashtu këtu në Shtetet e Bashkuara. Dezinformimi është i shfrenuar këtu. Racizmi strukturor dhe pabarazia e bëjnë jetën më të vështirë për miliona njerëz”

Ai tha gjithashtu se administrata e Biden-it do të investojë te punëtorët dhe ndërmarrjet amerikane, për një “fushë të barabartë loje”.

Kina ishte i vetmi vend që Blinken e veçoi si fokus në fjalimin e tij.

Ai renditi tetë përparësitë për diplomacinë amerikane përfshirë: luftën ndaj pandemisë, promovimin e një ekonomie globale më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përballjen me ndryshimin e klimës, sigurimin e udhëheqjes amerikane në teknologji, reformimin e sistemit të imigracionit, forcimin e aleancave dhe rinovimin e vlerave demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore