Shqipëria

Blinken flet me Ramën për sulmet e Iranit: Do të bashkëpunojmë për sigurinë e rajonit


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, lidhur me sulmet e fundit kibernetike të Iranit në Shqipëri, ku të goditura kanë qenë sistemet qeveritare dhe së fundmi ai TIMS, në kalimet kufitare.

Sipas një njoftimi nga zëdhënësi për shtyp i Departamentit të Shtetit, Ned Price, Rama dhe Blinken kanë folur mbi sulmet, të cilat SHBA-të i kanë dënuar fuqishëm dhe kanë premtuar bashkëpunim për zhbërjen e keqbërësve kibernetikë.

“Sekretari Blinken dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë”, shkruhet në njoftimin e DASH-it. “Sekretari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale”.

Çfarë ndodhi?

Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha se nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë, pra Irani.

“Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacenueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal”.

Sistemi i menaxhuar i kontrollit të kufijve, TIMS, prej vitesh po përdoret në Shqipëri.

Ai bën të mundur që asnjë person me precedentë penal, apo i dënuar nga autoritete shqiptare dhe të huaja të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj.

Kjo pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore