Lajme

Blinken do të bisedojë me Lavrovin për herë të parë që nga fillimi i luftës


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken zbuloi të mërkurën se ai synon të flasë me homologun rus Sergei Lavrov në të ardhmen e afërt.

Ky do të ishte komunikimi i parë mes palëve që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Federata Ruse.

Lajmi u bë i ditur nga multi-mediali amerikan “CNN”.

Sipas Blinken, ai planifikon të diskutojë me Lavrov një “propozim të rëndësishëm” të paraqitur nga pala amerikane disa javë më parë.

Kjo, në lidhje me lirimin e dy shtetasve amerikanë të ndaluar ilegalisht në Rusi – Paul Whelan dhe Britney Greiner.

Sekretari i Shtetit nuk specifikoi se për çfarë bëhej fjalë, por sipas burimeve të CNN, presidenti Joe Biden mbështeti idenë e shkëmbimit të Whelan dhe Greiner me tregtarin rus të armëve Viktor Bout, i dënuar në Shtetet e Bashkuara.

Përveç kësaj, Blinken dëshiron të diskutojë me Lavrov mbi marrëveshjen e nënshkruar së fundmi për zhbllokimin e eksportit të grurit ukrainas përmes Detit të Zi.

Kreu i diplomacisë amerikane theksoi se nuk do të ketë “diskutim për Ukrainën pa Ukrainën” me Lavrov.

Hera e fundit që Sekretari amerikan i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm rus zhvilluan bisedime telefonike ishte më 12 shkurt, gati dy javë para ofensivës së plotë ruse në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore