Lajme

Blair: E panevojshme dhe e rrezikshme tërheqja ushtarake nga Afganistani


Ish-kryeministri britanik, Tony Blair.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, i cili kishte çuar trupat ushtarake në luftë në Afganistan më 2001, e ka konsideruar tërheqjen ushtarake të Perëndimit nga ky shtet si “të rrezikshme” dhe “të panevojshme”.

Më 21 gusht, Blair ka thënë se, Rusia, Kina dhe Irani do të kenë përfitime nga largimi ushtarak i Perëndimit, pas 21 vjetëve të luftës dhe sulmeve terroriste.

“Braktisja e Afganistanit dhe njerëzve të tij është tragjike, e rrezikshme, e panevojshme dhe nuk është as në interesat e tyre, as në tonat”, ka vlerësuar Blair në komentet e para publike rreth krizës, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.

Ai ka shtuar se “pyetja që duhet bëhet nga aleatët, por edhe nga armiqtë është se: a e ka humbur Perëndimi gatishmërinë e tij strategjike?”.

Po ashtu deklaroi se si “lider i shtetit, kur kemi marrë vendim që t’iu bashkohemi Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar talebanët nga pushteti, kush ka parë shpresat e mëdha për atë se çfarë mund të arrihej për njerëzit dhe botën, e di më mirë se shumëkush sa të vështira janë vendimet e udhëheqësve. Edhe se sa e lehtë është që të kritikohesh dhe sa e vështirë është të jesh konstruktiv”.

Blair i ka bërë thirrje Perëndimit “që të evakuojë dhe t’i strehojë ata për të cilët ka përgjegjësi, për afganët që na kanë ndihmuar dhe na kanë qëndruar afër nesh dhe kanë të drejtë të kërkojnë që t’u qëndrojmë afër”.

Udhëheqësia e lartë e talibanëve është raportuar të jetë mbledhur në Kabul më 21 gusht, për të analizuar qeverinë e ardhshme, pas kthimit të grupit islamist në pushtet.

Talebanët kanë premtuar udhëheqësi “ndryshe” në krahasim me periudhën e fundit sa kanë qenë në pushtet më 1996-2001, kur kanë udhëhequr përmes një interpretimi të ashpër të ligjit islamik.

Pas largimit të forcave amerikane nga ky vend, talebanët kanë marrë nën kontroll gati tërë territorin e Afganistanit.

Ndërsa presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, u largua më 15 gusht nga vendi për në Taxhikistan dhe qeveria e tij u rrëzua teksa militantët talebanë hynë në kryeqytetin afgan, Kabul.

Pas marrjes së pushtetit nga talebanët, shtetet perëndimore përfshirë edhe SHBA-të, kanë evakuuar personelin diplomatik nga ambasadat e tyre përkatëse.

Në anën tjetër, në kryeqytetin Kabul të Afganistanit, momentalisht janë duke vepruar vetëm tri ambasada të huaja, ajo e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore