Lajme

BKS me 15 ditë vonesë fillon implementimin e stikersave për automjetet e regjistruara


BKS

Automjetet e regjistruara nga sot (15 mars) do ta kenë të vendosur në xham stikersin Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS). Këtë e ka bërë të ditur vet kjo byro përmes një njoftimi, ku thuhet se ky stikers për qytetarët është falas.

BKS do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e stikersave në vetura.

“BQK-ja dhe BKS-ja përkrahin Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike”, thuhej në njoftimin të mëhershëm të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit, respektivisht BKS-ja si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë. Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers)”.

Vendosja e këtyre stikersave ishte parapa që të fillonte më një (1) mars të këtij viti, në mënyrë që zbatimi i plotë i projektit të përmbyllet brenda një viti që në tërë vendin të ketë një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht.

“Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugorë të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej 1 viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit”, thuhej në një njoftim të mëhershëm të BQK-së.

Kurse, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor.

Implementimi i këtij projekti për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara/paregjistruara në qarkullim rrugor, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel ose gjetjen e zgjidhjeve alternative për qarkullim të lirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore