Shqipëria

BKH zbarkon në shtëpinë e partneres së Arben Ahmetajt


Byroja Kombëtare e Hetimit, me urdhër nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka zbarkuar në shtëpinë e partneres së ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, për kontrolle.

Ky i fundit, është përmendur disa herë lidhur me çështjen e njohur si “inceneratorët”, si një prej ministrave të përfshirë në korrupsion lidhur me ngritjen e impianteve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Burime për Albanian Post kanë bërë me dije se kontrolle janë kryer edhe në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, ku nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme.

Teksa, nga ana tjetër, në shtëpinë e partneres së tij në zonën e Gjirit të Lalëzit, është gjetur një shumë parash, si edhe janë sekuestruar disa dokumente pronësie, në emër të ish-bashkëshortes së tij.

Këto të fundit, do të shërbejnë për hetime ndaj ish-zëvendëskryeministrit në çështje.

Në javët e fundit, që prej largimit të Ahmetajt nga funksionet si në Qeveri, ashtu edhe nga detyrat kryesore në PS, ka pasur një shtim të retorikës së tij ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili po ashtu i është kundërpërgjigjur ish-numrit dy të kabinetit.

Në një intervistë televizive të 16 shkurtit, Rama e bëri të qartë se nën ombrellën e tij politike, nuk mban askënd, i cili mund të dalë fajtor në një çështje gjyqësore, duke iu referuar Ahmetajt dhe rastit të inceneratorëve.

Mbi këtë, vetë Ahmetaj komentoi më 23 shkurt, kur i bëri kryeministrit që më së shumti të kryejë rolin e tij dhe jo atë të gjykatësit.

Teksa, kësaj, Rama i është përgjigjur vetëm sot, gjatë një fjale për gazetarët, ku përsiati se “nëse do të kishte bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq sot”.

Pikërisht sot, vjen dhe kontrolli i BKH në banesën e partneres së Ahmetajt, ku pritet ende një shpalosje e gjithë gjetjeve nga ana e Byrosë hetimore.

Arben, s’bën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore