Shqipëria

Arben, s’bën


“Largimi dhe zëvendësimi i drejtuesit politik të PS-së në Vlorë erdhi dhe si rezultat i pakënaqësive nga baza socialiste në qytetin tonë”.

Kështu deklaron një drejtues i strukturave të Partisë Socialiste në Vlorë për Albanian Post në kushte anonimiteti.

Sipas tij, Ahmetaj përveçse kishte “sjellje arrogante nuk u përgjigjej socialistëve kur donin ta takonin”, ai tregon se një pikë tjetër e nxehtë ishte dhe moslëvizja e drejtorëve aktualë në administratë.

“Konsumimi i tyre ka sjellë pakënaqësi në bazë, ku shumë nga drejtorët kanë 9- 10 vjet gjë që nuk i bën aspak mirë situatës në Vlorë”, vëren drejtuesi për AP-në.

Dy muaj pas shkarkimit nga posti i zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetaj zbriti përfundimisht edhe në hierarkinë e Partisë Socialiste.

Kjo pasi ish-zyrtari shqiptar nuk do të jetë më drejtuesi politik i njërit prej qarqeve ‘bastion’ si Vlora.

“Nuk ka asnjë rëndësi të hyjmë në emra. Jemi shërbëtorë dhe secili ka rolin e vet. Kjo është një skuadër dhe secili lojtar ka rolin e tij”.

Kështu iu përgjigj kryeministri Edi Rama pyetjes mbi shkarkimin e “përgjegjësisë” dhe jo institucional tanimë të Ahmetajt.

Burime pranë Albanian Post bëjnë me dije se ky vendim fillimisht lidhet me rënien e autoritetit të tij.

Por, ky filiz pakënaqësie i elektoratit na kthen pas në gjënezën e përplasjeve dhe akuzave të befta ndaj palëve në selinë rozë.

Ahmetaj është përplasur prej shumë kohësh me një figurë kryesore brenda grupit socialist si Belinda Balluku.

Zëvendës kryeministrja aktuale ka qenë personi që aderonte pikërisht për postin e ish-zyrtarit të lartë shqiptar.

Ndërsa, dy koka të nxehta përplaseshin për mundësinë e artë “të kryesocialistit të ardhshëm”, shkëputja totale me Ahmetajn nga i gjithë grupi erdhi pas publikimit të informacioneve për çështjen e inceneratorëve.

Shumë syreshë brenda PS-së akuzonin ish-ministrin se kishte qenë ura lidhëse e informacionit me dy aktorët kryesorë opozitarë (PD-LSI).

Madje, akuzat shkuan deri aty sa Ahmetaj u kryqëzua vazhdimisht për një “lojë të dyfishtë”.

Kryeministri shqiptar nuk ka bërë “kurban” në këtë rast por ka reflektuar edhe mbi sondazhet brenda partisë të cilat dëshmojnë rënien e autoritetit të ish-zyrtarit.

I sigurt është fakti që Ahmetaj pësoi shkarkimin e tretë, ndoshta të vërtetë në rangjet e socialistëve, pas atij qeveritar.

“Pas largimit tim do të zbulohet e vërteta dhe do të bien poshtë shumë fjalë të padrejta”, mendohet të ketë thënë ish-zv.kryeministri.

Para se të zbulohet e vërteta pas shkarkimit të tij nga radhët e socialistëve, pritet të zbulohet edhe e vërteta prapa inceneratorëve.

Kjo e fundit, do të kërkojë edhe pak kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore