Shqipëria

Ahmetaj i përgjigjet Ramës: Mos bëj gjykatësin, bëj kryeministrin


Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në një dalje publike në Opinion, i është përgjigjur deklaratave të fundit të kryeministrit, Edi Rama, i cili theksoi se nëse ato që fliten për ish-ministrin e tij janë të vërteta, “i vjen shumë keq, por nuk e ndihmon dot”.

Ahmetaj tha se nuk i ka kërkuar kryeministrit ndihmë dhe se e këshillonte të bënte rolin e kryeministrit, “pasi nuk është e lehtë të bësh rolin e Gjykatësit”.

Po ashtu, ai mohoi se ka përfshirje në procedurë te inceneratori i Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Sipas Ahmetaj, ka një dosje në SPAK, ku janë veprimet e ministrive që kanë të bëjnë me procedurën, por jo përfshirje të tij.

Ish-ministri i Financave edhe pse u vendos përpara një sërë përmendjesh të emrit të tij në çështjen e inceneratorëve, i hodhi poshtë.

Sipas tij nuk kanë asnjë rëndësi letër këmbimet me ish-deputetin Alqi Bllako (tashmë të arrestuar) – për inceneratorin e Tiranës.

Më tej, Ahmetaj theksoi se nuk i njihte më parë Klodian Zoton dhe Stela Gugallja, figura kyçe të drejtimit të inceneratorëve.

Ndërkohë, ish-ministri pranoi se njihte të shpallurin në kërkim, Mirel Mërtirin.

Ahmetaj mohoi akuzat se ka udhëtuar me Klodian Zoton, apo se është paguar nga ai në një sërë pushimesh.

Në përfundim të fjalës së tij, Ametaj u shpreh se “Partia Socialiste është shtëpia e ime dhe i kam kontribuar me grevën e urisë, fitoren 4 herë dhe strukturimin e financave të shtetit dhe me rindërtimin dhe pandeminë”.

Po negociojmë me Anglinë", Arben Ahmetaj tregon se kush po na ndihmon për vaksinimin e shqiptarëve - Politike

Ahmetaj dhe lakimi i emrit me Inceneratorët

Nga opozita ai do të akuzohej shpesh “për takimet e tij” me të kërkuarin e drejtësisë për çështjen e inceneratorëve, Klodian Zoto.

Akuzat do të mohoheshin nga Ahmetaj në dëshminë e tij dhënë në Komisionin Hetimor.

Nga aty, ai do të theksonte se kishte vetëm njohje të largët me Zoton.

Por kjo nuk do të thotë se ai nuk kishte kontakte me Mirel Mërtirin.

Ky i fundit i kërkuar po ashtu nga drejtësia, i lidhur ngushtë me firmëtarët zyrtarë të dy prej kontratave, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.

Më 16 korrik 2017 Ahmetaj dhe tre burra të tjerë po ktheheshin nga një udhëtim treditor, kur për një çast gjithçka u kthye përmbys.

Ata po udhëtonin në autostradën Tabanoc-Kumanovë, kur u përfshinë në një aksident të dyfishtë.

Pas aksidentit u bë me dije se ministri po udhëtonte me Mërtirin në të njëjtin automjet.

Ahmetaj do të ravijëzonte se Ministria e Ekonomisë – asokohe e drejtuar nga ai- nuk ka pasur tagër për të dhënë mendim mbi një procedurë apo draft dhe as të përfshihet në dhënien e Partneritetet Publike Private (PPP).

Por, ministri para Ahmetajt në dikasterin e Ekonomisë, Shkëlqim Cani, do të shprehej se ishte larguar nga detyra pasi nuk aprovoi kërkesat për funksionimin e inceneratorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore