Lajme

Bislimi me përfaqësues të Odës Ekonomike nga Maqedonia, diskutojnë për zgjerim të bashkëpunimit


Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, të hënën është takuar me përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriore.

Përmes një komunikate për media thuhet se Bislimi ka diskutuar me përfaqësuesit e Odës për rritjen e bashkëpunimit.

“Puna do të vijojë në intensifikimin e bashkëpunimit, ku ka sinjale pozitive marrë parasysh dhe rritjen e eksportit dhe importit gjatë vitit të kaluar mes dy vendeve. Ndërtimi i rrugëve dhe zonave të përbashkëta industriale e ekonomike, mbeten prioritare me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe përafrimit mes nesh”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Teksa është thënë se përfaqësuesit e OEMVP, theksuan mbështetjen e tyre ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku dhe shtuan “se e shohin Procesin e Berlinit si mekanizëm të duhur të mbrojtjes dhe të produkteve të tyre”.

Temë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe përballja e bizneseve shqiptare atje me problemet aktuale.

“Diskutuam dhe mbi mënyrat në të cilat mund të punohet bashkërisht edhe për të lehtësuar problematikat me të cilat po përballen bizneset shqiptare atje si resurset njerëzore, kuadrot e reja, fuqia punëtore dhe tregu i punës”.

“Prandaj është e rëndësishme ruajtja e tregut, eliminimi i barrierave burokratike dhe forcimi i lidhjes ekonomike”.

Muajt e kaluar edhe bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është konsideruar si i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore