Lajme

Bilçik: Jemi të shqetësuar që forcat politike të lidhura ngushtë me Moskën janë pjesë e pushtetit në Mal të Zi


Vladimir Bilçik

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, ka thënë se është lajm i mirë fakti se Mali i Zi ka një qeveri dhe parlament të ri, por se ka shtuar se mbetet i shqetësuar për shkak se pjesë e pushtetit të ri malazez janë edhe forcat politike të lidhura ngushtë me Moskën.

Këto komete, Bilçik i bëri në një intervistë për median malazeze “Pobjeda”, teksa komentoi formimin e qeverisë së 44-të në Mal të Zi, më në krye liderin e Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç.

Spajiç, për t’u bërë kryeministër i Malit të Zi, pas fitores në zgjedhjet e 11 qershorit, nënshkroi marrëveshje me Demokratët, Partinë Popullore Socialiste, partitë shqiptare, si dhe me koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – madje njërit prej liderëve të këtij koalicioni, kryetarit të “Demokracisë së Re Serbe”, Andrija Mandiç, ia dha postin e Kryetarit të Kuvendit.

Duke pasur parasysh këtë, eurodeputeti sllovak thekson se Bashkimi Evropian, “do të monitorojë me shumë kujdes vendimet e marra nga qeveria dhe parlamenti i ri” dhe se “do të veprojë në bazë të tyre ndaj pushtetarëve në vend”.

“Pra, po, ne jemi shumë të shqetësuar për faktin se elementë politikë të lidhur ngushtë me Moskën, elementë politikë që në të kaluarën jo vetëm e vinin në dyshim, por edhe kundërshtonin hapur anëtarësimin në NATO dhe BE, tani janë pjesë e strukturës së pushtetit në Mal të Zi. Në të njëjtën kohë, ne duhet të shohim se kush ka votën vendimtare dhe kush vendos realisht vendimet kryesore”, ka pohuar ai.

Ndryshe, Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani (PES)”, mëngjesin e të martës së 31 tetorit është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi.

Për zgjedhjen e Spajiçi-it në krye të qeverisë së 44-të malazeze kanë votuar 46 deputetë pro, 19 kundër dhe një abstenim.

Për zgjedhjen e qeverisë së re votuan deputetët e PES-it, koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste dhe partive shqiptare.

Kabineti i Milojko Spajiç-it.

Në këtë pozitë, Spajic ka zëvendësuar Dritan Abazovic-in – liderin e Lëvizjes Qytetare “URA” – e cila, së bashku me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe boshnjakët do të jenë në opizitë.

Harta politike në Mal të Zi me qeverinë e re – Si (nuk) do të ndryshojë raporti me Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore