Lajme

Harta politike në Mal të Zi me qeverinë e re – Si (nuk) do të ndryshojë raporti me Kosovën


Foto nga Albanian Post

Ndonëse koalicioni i ri qeverisës në Mal të Zi ka brenda vetes partitë pro ruso-serbe, të shprehura qartë kundër pavarësisë së Kosovës dhe në përgjithësi orientimit perëndimor, nga njohës të zhvillimeve politike atje, nuk po konsiderohet si një rrezik që mund t’ia ndryshojë orientimin strategjik të këtij shteti.

Miljoko Spajiç – lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, për t’u bërë kryeministër i Malit të Zi, pas fitores në zgjedhjet e 11 qershorit, nënshkroi marrëveshje me Demokratët, Partinë Popullore Socialiste, partitë shqiptare, si dhe me koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – madje njërit prej liderëve të këtij koalicioni, kryetarit të “Demokracisë së Re Serbe”, Andrija Mandiç, ia dha postin e Kryetarit të Kuvendit.

Lexo edhe këtë: Kush është Kryeministri i ri i Malit të Zi, Milojko Spajiç

Por, Ferat Dinosha, ish-ministër në qeverinë malazeze si pjesë e listës së Forumit Shqiptar me partinë e tij Unioni Nacional Shqiptar, shprehet i bindur se politika e Malit të Zi nuk do të ndryshojë përkundër këtyre forcave jo perëndimore në qeverinë e re.

“Serbët në Mal të Zi janë përfaqësuar nga këto parti, dhe absolutisht nuk mendoj se do të kenë shans që të ndryshojnë orientimin strategjik të Malit të Zi, përfshirë edhe çështjen që Mali i Zi ka njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Dinosha për Albanian Post.

Për ta forcuar më tepër argumentin e tij, ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, përmend faktin se ky shtet është në NATO.

Kryetari aktual i kuvendit malazez Mandiç, është shprehur hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Ai madje kishte mbajtur grevë urie kur Mali i Zi e kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Kurse, Vladimir Putinin e Rusisë e konsideron si president të tij.

Edhe Dinosha, si një nga politikanët më të vjetër shqiptar në Mal të Zi, e përmend këtë fakt, por prapëseprapë thotë se “nuk do të lejohet që në Mal të Zi të kthehen politika që dikush i mban në mendje e në zemër”.

“Ky dikush mund të jetë edhe në koalicioni serb, i cili tani është në qeveri”, thekson ai.

Ferhat Dinosha

Se nuk do të ketë veprime anti-perëndimore nga kjo qeveri, Dinosha kujton edhe marrëveshjen e parimeve të nënshkruar nga koalicioni qeverisës, ku thuhet se do ta mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, si dhe sanksionet kundër Rusisë, forcimin e mëtejshëm të pjesëmarrjes së Malit të Zi në NATO, avancimin e të drejtave të pakicave, mbështetjen e pa diskutueshme të sovranitetit të vendeve fqinje, përfshirë edhe të Kosovës.

“Ne e kemi nënshkruar një marrëveshje ku janë parimet themelore të qeverisë. Kërkesa për mos luhatje ndaj qëndrimit për pavarësinë e Kosovës është futur me insistimin e Forumit Shqiptar, dhe kryeministri i ri nuk ka pasur asnjë hezitim”, thekson Dinosha.

“Këto zotime na kanë bërë që ne të jemi pjesë e qeverisë së re, duke siguruar që forcat që e përbëjnë ose e përkrahin nuk do të sillen – sidomos ato që janë sjellë deri tash – ashtu si nuk thuhet në marrëveshje”, shtoi.

Ngjashëm si Dinosha mendon edhe redaktorja e gazetës më të madhe malazeze “Vijesti”, Biljana Matijaseviç.

Në një intervistë për AP, ajo thekson se përveç zotimeve të dhëna nga parterët e koalicionit qeverisës, veprime të tilla nuk janë në interes të partive pro ruso-serb, pasi që të njëjtit, pas një viti, pos kryetarit të kuvendit që e kanë tani, do të marrin edhe postet ministrore, siç parashihet në marrëveshje.

“Besoj se koalicioni ‘Për Ardhmërinë e Malit të Zi’ nuk do të insistojë në tërheqjen e njohjes së Kosovës, jo sepse kanë ndryshuar politikën e tyre, por sepse presin që përfaqësuesit e tyre të hyjnë në qeveri brenda një viti, siç parashikohet edhe në marrëveshje”, thotë Matijaseviç për AP.

Biljana Matijaseviç

Ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk kanë qenë në favor që forcat pro ruso-serbe të jenë pjesë e ekzekutivit të 44-të malazez, redaktorja e politikës thekson se një gjë e tillë iu imponua Milojko Spajiç-it për të siguruar stabilitet të qeverisë dhe për t’i shtyrë përpara reformat që i ka premtuar.

“Ishte e vetmja mënyrë që qeveria të ishte e qëndrueshme dhe të siguronte shumicën e nevojshme në Kuvend për reformat e kërkuara në drejtësi”, thotë ajo.

“Po ashtu, ky koalicion mori mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët në zgjedhje. Megjithatë, orientimi i tyre nuk mund të ndikojë në drejtimin e Malit të Zi pasi atyre u mungon ende shumica për të marrë disa vendime të diskutueshme (si largimi i Malit të Zi nga NATO, etj.)”, deklaron Matijaseviç.

Por çka nëse koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” ndërmerr veprime për të ndryshuar kursin perëndimor?

“Do ta braktisim qeverinë”, është i qartë Dinosha, njëri nga liderët e Forumit Shqiptar, pjesë e qeverisë së Spajiç-it.

“Nëse devijon dikush, partitë shqiptare s’duhet të kenë asnjë hezitim që të braktisin qeverinë. Apo nëse krijohet ndonjë shumicë e re që ndryshon politikat, sidomos këto të fqinjësisë”, potencon Dinosha për AP.

Partitë shqiptare, thekson ai, “janë të vetëdijshëm se për cilat çështje duhet të jenë në kontakt – jo në miqësi – me serbët”.

Përveç kësaj, ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, bënë me dije se grupacioni politik që ai i përket nuk do t’i shkëput kontaktet me partitë opozitare, “posaçërisht me atë kryesoren, Partinë Demokratike të Socialistëve” – partia e ish-presidentit malazez Milo Gjukanoviç.

Nga ana tjetër, gazetarja malazeze, ndonëse pohon se partitë pro ruso-serbe nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës dhe orientimit perëndimor, në kushtet aktuale, dhe me fuqinë politike që këto e kanë, e sheh të pamundur që ta jetësojnë një politikë të tillë.

“Edhe nëse do ta kërkonin, nuk kanë një shumicë të mjaftueshme për të realizuar një synim të tillë”, shprehet e bindur Matijaseviç.

Roli i shqiptarëve në qeverinë e Spajiç-it

Partitë shqiptare që janë pjesë e qeverisë së 44-të malazeze, përkatësisht Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare, do të kenë tri ministri, përfshirë një pozitë të zëvendëskryeministrit.

Kjo përbënë përfaqësimin më të madh të shqiptarëve në një qeveri malazeze në historinë politike të tyre.

Bartësi i Listës së Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik; Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.

Për redaktoren e politikës Matijaseviç është e zakonshme që partitë që përfaqësojnë komunitetet pakicë të hyjnë në koalicion me partitë në pushtet “në mënyrë që të mbrojnë më mirë interesat e popullatës pakicë nga pozita e pushtetit”.

“Qytetarët e Malit të Zi, duke përfshirë malazezët, serbët, shqiptarët, boshnjakët, myslimanët, kroatët, romët, dëshironin ndryshim dhe ky ndryshim erdhi në zgjedhjet e vitit 2020 kur u zëvendësua partia (DPS) që kishte qenë në pushtet për 30 vjet. Ky ndryshim u konfirmua në zgjedhjet në qershor të këtij viti”, shpjegon ajo.

Në fillim të viteve 1990, thekson Matijaseviç, “ajo parti, pra DPS, dhe ish-presidenti i saj Milo Gjukanoviç fillimisht mbështetën politikat e Slobodan Millosheviç-it, por më vonë u zhvendosën drejt Perëndimit”.

“Pavarësisht angazhimit të tyre të deklaruar për një shtet civil, ata krijuan një shtet privat, një shtet, burimet e të cilit u vunë në dispozicion të të afërmve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre”.

Sipas saj, më së miri këtë e dinë pjesëtarët e komuniteteve pakicë, “veçanërisht ata që jetojnë në veri të Malit të Zi ku u mbyllën shumë fabrika, duke lënë punëtorët të papunë”.

“Për shkak të varfërisë, popullsia në veri u detyrua të largohej nga vendi i tyre dhe të kërkonte punë në vendet e Evropës Perëndimore, SHBA, Kanada dhe gjetkë”, elaboron ajo.

Çka pritet nga qeveria e Spajiç-it?

Gazetarja malazeze, e cila e ka përcjellur aktivisht fushatën e Lëvizjes “Evropa Tani”, dhe liderit të saj, njëherit kandidatit për kryeministër Milojko Spajiç, thotë për AP se qytetarët malazezë presin që ai ta zbatojë programin “Evropa Tani 2” – vazhdimësi e planit diskutabil ekonomik që Spajiç, si ministër i Financave, së bashku me presidentin malazez Jakov Milatoviç, atëherë si ministër i Ekonomisë, e kishin filluar gjatë kohës sa ishin pjesë e qeverisë së Zdravko Krivokrapiç.

“Ky program, ndër të tjera, përfshin një pension mesatar prej 600 euro dhe një pagë mesatare prej 1000 euro. Një tjetër pritshmëri e rëndësishme e qytetarëve është anëtarësimi i Malit të Zi në BE dhe përfundimi i reformave të nevojshme në drejtësi, në mënyrë që shteti i së drejtës të vendoset më në fund në vendin tonë”, tregon Matijaseviç.

Ndërtimi i situatës

Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani (PES)”, mëngjesin e të martës është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi.

Për zgjedhjen e Spajiçi-it në krye të qeverisë së 44-të malazeze kanë votuar 46 deputetë pro, 19 kundër dhe një abstenim.

Për zgjedhjen e qeverisë së re votuan deputetët e PES-it, koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste dhe partive shqiptare.

 

Kabineti i Milojko Spajiç-it.

Në këtë pozitë, Spajic ka zëvendësuar Dritan Abazovic-in – liderin e Lëvizjes Qytetare “URA” – e cila, së bashku me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe boshnjakët do të jenë në opizitë.

Ndryshe, Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vende përbërëse në kuadër të Jugosllavisë, por me statuse të ndryshme.

Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të Serbisë, dhe kjo deri në vitin 1989, kur presidenti fashist i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç e suprimoi atë.

Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore