Lajme

Bilanci i shpërthimit në Mitrovicën e Veriut: Dy të lënduar, disa vetura të dëmtuara – EULEX-i e KFOR-i në vendin e ngjarjes


Ilustrim

Një granatë dore ka shpërthyer pak para mesnatës së 15 janarit në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa si pasojë e shpërthimit, sipas organeve kompetente, kanë mbetur të lënduar dy persona dhe janë dëmtuar disa automjete përreth.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, duke folur për ngjarjen njoftoi se nga shpërthimi në këtë zonë tensioni në veri janë dëmtuar disa vetura e janë lënduar dy persona, prej të cilëve njëri me lëndime më serioze, por jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 23:50, dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore te hoteli ‘Bisevac’ në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 4-5 vetura dhe dy persona janë lënduar, njëri prej tyre ka lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, deklaroi Elshani.

Në vendin e ngjarjes, përveç njësiteve të Policisë së Kosovës, kanë qenë të pranishme edhe ekipe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe Forca Paqeruajtëse e NATO-s (KFOR) në Kosovë, ndërsa nuk dihen ende motivet e këtij shpërthimi që ka shprishur qetësinë në veri.

Edhe në të kaluarën, në këtë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, ka pasur incidente të ngjashme. Përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore