Kosova

Bieber: Vuçiçi s’ka interes për Procesin e Berlinit, prioritetet e tij janë në Pekin


Florian Bieber

Florian Bieber nga Qendra e Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit (CSEES), ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk është fort i interesuar në Procesin e Berlinit, duke marrë për bazë faktin se presidenti serb nuk ka qenë pjesëmarrës në samitet e Procesit të Berlinit që nga marrja e detyrës së presidentin në vitin 2016.

Bieber, i cili shërben edhe si koordinator i Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG), ka theksuar se përderisa liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE) kanë hapur punimet e Procesit të Berlinit në Tiranë, vizita e presidentit serb në Pekin të Kinës ka sinjalizuar se ku qëndrojnë prioritetet e tij.

“Dhuna në veri të Kosovës duket se më në fund ka varrosur projektin e përkëdhelur të Vuçiçit dhe alternativën ndaj Procesit të Berlinit – Ballkanin e Hapur […] Mesazhet nga Beogradi sugjerojnë se Vuçiçi nuk është i gatshëm të mbështesë plotësisht Procesin e Berlinit”, ka thënë Biebier në një koment të shkurtër të publikuar në BiEPAG.

Se autoriteteve serbe nuk iu intereson Procesi i Berlinit, sipas profesorit austriak, dëshmohet edhe nga vendimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, për të bojkotuar foton familjare të realizuar nga liderët e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarët evropianë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që për herë të parë është mbajtur jashtë kufijve të BE-së.

“Një shenjë e telasheve të mundshme ka qenë që kryeministrja serbe Bërnabiç ka munguar në fotografinë e grupit. Është e paqartë nëse kjo ka qenë për shkak të ‘kohës’ apo pranisë së flamurit të Kosovës (asgjë e re), duke ngritur pikëpyetje për angazhimin e serbëve ndaj procesit”, ka thënë ai.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje madhore, përveç liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, ka qenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi dhe shumë zyrtarë tjerë të BE-së e liderë të shteteve anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore