Shqipëria

Biden zbulon emrin që do të zëvendësojë Yuri Kim


Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar se do të emërojë diplomatin e karrierës David J. Kostelancik, për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Kjo nuk do të jetë detyra e tij e parë në Shqipëri, pasi Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.

Ai aktualisht po shërben si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.

Më herë ka mbajtur postin e Shefit të Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer gjithashtu dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.

Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-ve në OSBE dhe NATO e në Ankara të Turqisë.

Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti.

Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Michigan-it. Diplomati flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore