Lajme

Biden telefonon aleatët për t’i siguruar ata për mbështetjen e Ukrainës


Presidenti Joe Biden po mban një telefonatë me aleatët për t’i siguruar ata për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Ukrainën, duke kërkuar të lehtësojë shqetësimet pasi një projekt-ligj për financimin e qeverisë hoqi dorë nga 6 miliardë dollarë ndihmë.

Lajmi u bë i ditur nga kompania “Bloomberg”, duke cituar një person të njohur me këtë çështje.

Telefonata po bëhet aktualisht, sipas personit të njohur që foli në kushte anonimiteti.

Planet e Biden-it për të arritur tek aleatët u raportuan fillimisht nga Bloomberg News.

Biden nënshkroi të shtunën një masë financimi afatshkurtër nga Kongresi për të mbajtur qeverinë amerikane të hapur deri më 17 nëntor dhe për të shmangur një mbyllje – por projektligji i miratuar shpejt nuk përfshiu ndihmë shtesë për Kievin.

Ky veprim erdhi si një goditje si për Biden ashtu edhe për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky-i, i cili vetëm muajin e kaluar vizitoi Washington-in për t’u lutur personalisht për ndihmë të vazhdueshme.

Biden ka thënë se pret që kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, të mbajë fjalën e tij dhe të sigurojë kalimin e ndihmës së Ukrainës në legjislacion të veçantë. Por ndihma e re nuk është e sigurt.

McCarthy ka sugjeruar lidhjen e financimit të Ukrainës me masat për sigurinë kufitare të SHBA-ve dhe imigracionin që kundërshtohen nga demokratët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore