Shqipëria

Betimi i Presidentit të ri, reagon PD-ja: Dita e sotme është dita e instalimit të monizmit të plotë në Shqipëri


Partia Demokratike, Komisioni i Rithemelimit ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën parlamentare të së dielës kur parashikohet të bëhët betimi i Presidentit të ri, Bajram Begaj.

PD shkruan se dita e sotme është, dita e instalimit të monizmit të plotë të Edi Ramës në Shqipëri dhe fatkeqësi kombëtare.

“25 korriku i vitit 2022 do të gdhendet me germa të zeza në muret e kohës si një ditë fatkeqësie kombëtare për demokracinë dhe liritë e shqiptarëve. Sot, me inaugurimin e Presidentit socialist, pas 32 viteve, në Shqipëri rivendoset monizimi i plotë”.

Sipas PD-së, kryeministri i Shqiprisë Edi Rama ka pothuajse të gjithë pushtetin në dorën e tij, më shumë se në kohën e komunizmit.

“Nga sot, Edi Rama dhe partia e tij shtet, kontrollojne mbi 99% të pushteteve në Shqipëri. Ata kanë të përqendruar në duart e tyre 11% pushtet më shume se sa kontrollonte në 1991 Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist i Shqipërisë”.

“Sot, për herë të parë në 31 vite, në Shqipërinë moniste, në pushtetin ekzekutiv të vendit, të gjithë qeveritarët qendrorë ministrat, zëvendës ministrat, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët, punonjësit, janë vetëm të një partie, dmth të partisë shtet të Edi Ramës”, vijon PD-ja.

Edhe në pushtetin gjyqësor, vijojnë demokratët, falë “pseudoreformës sorosiane të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore të drejtësisë, KLGJ, KLP, ILD, çdo prokuror, çdo hetues, sikundër dhe çdo gjykatës Fakti apo Apeli, gjykatës në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, përveçse njërit, janë, që të gjithë, të përzgjedhurit dhe në tërësi të emëruarit e Edi Ramës dhe partisë-shtet”.

Partia Demokratike deklaron se, “me vendosjen sot të monizmit të plotë në Shqipëri, kanë rënë rendi demokratik, kushtetues dhe vetë Kushtetuta, që garanton kontrollin dhe balancën e pushteteve”.

PD ka sjellë në vëmendje periudhën kur PD-ja ka qënë në pushtet, kontrollonte nga 37% në vitin 2005 në 48% në vitin 2013, të pushtetit të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore