Lajme

Betejë e ashpër për Soledar-in, mes “Wagner’s dhe rezistencës ukrainase


Beteja për Soledar-in u ndez në temperatura nën zero të mërkurën, me mercenarët rusë “Wagner Group” të cilët pretenduan se kishin fituar kontrollin e qytetit të minierave të kripës në Ukrainën lindore.

Kievi zyrtar tha më herët se forcat e tij po rezistonin.

Përmbledhja e mëngjesit e ushtrisë ukrainase përmendi Soledar-in, duke e renditur qytetin si një nga disa të granatuarit në rajonin e Donetsk-ut.

Komandantët rusë e kanë bërë kapjen e Soledar-it, një objektiv kyç në një fushatë për të marrë qytetin e afërt strategjik të Bakhmut-it dhe rajonin më të madh lindor të Donbas-it.

“Njësitë Wagner morën kontrollin e të gjithë territorit të Soledar-it”, tha Yevgeny Prigozhin, aleati i presidentit Vladimir Putin, sipas agjencive ruse të lajmeve. “Numri i të burgosurve do të bëhet i ditur nesër (sot)”.

Kapja e Soledar-it dhe minierave të mëdha të kripës nga Rusia do të kishte vlerë simbolike, ushtarake dhe tregtare për Rusinë.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha më herët se trupat ruse dhe luftëtarët “Wagner” kishin marrë kontrollin e pjesës më të madhe të Soledar-it pas katër ditësh përparime.

Por komenti i Prigozhin se luftimet vazhduan në qendrën e Soledar-it sugjeroi se kontrolli rus ishte i paplotë, pavarësisht deklaratës së tij se i gjithë qyteti ishte nën kontrollin e Wagner’s.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “RIA” lëshoi më vonë një raportim duke thënë se “Wagner” mori nën kontroll minierat e kripës të Soledar-it pas “luftimeve të ashpra”.

Minierat e kripës ndodhen në periferi të qytetit. Washingtoni ka thënë se Prigozhin mund të dëshirojë kontroll personal të minierave të zonës.

Valët e forcave ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky-i dhe komanda ushtarake nuk përmendën kontrollin e Soledar-it të martën në mbrëmje.

Zelensky përsëriti thirrjen e tij për më shumë armë perëndimore, duke thënë se Rusia po mbledh forcat e saj për të intensifikuar fushatën e saj. Ai nuk dha detaje.

Por Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës shkroi në Twitter vonë të martën: “Edhe pasi pësoi humbje kolosale, Rusia ende po përpiqet në mënyrë maniake të pushtojë Soledar’in – shtëpia e minierës më të madhe të kripës në Evropë”.

Ukraina tha më herët se forcat e saj po mbanin ende pozicionet në Soledar, duke përballuar sulmet valë pas vale të forcave ruse që kërkonin fitoren e tyre të parë në fushëbetejë për muaj të tërë.

Zëvendës ministrja ukrainase e Mbrojtjes Hanna Maliar tha të martën në mbrëmje se luftimet për qytetin ishin ende të ndezura.

“Armiku nuk merr parasysh humbjet e mëdha të personelit të tij dhe vazhdon të sulmojë në mënyrë aktive”, tha ajo. “Afrimet në pozicionet tona janë thjesht të shpërndara me trupa të vdekura luftëtarësh të armikut. Luftëtarët tanë po u bëjnë ballë me guxim”.

Më parë, disa blogerë të shquar ushtarakë rusë kërkuan kujdes në lidhje me situatën në Soledar dhe thanë se luftimet intensive në qendër të qytetit dhe rrethinat e tij vazhduan gjatë natës.

Rusia kërkon një fitore të madhe

Ushtria e Ukrainës tha se forcat e saj kishin zmbrapsur sulmet e armikut në zonat e 13 vendbanimeve në rajonet Luhansk, Kharkiv dhe Donetsk, duke përfshirë Bakhmut-in.

Marrja e Soledar-it do të ishte fitimi më thelbësor i Rusisë që nga gushti, pas një sërë tërheqjesh poshtëruese gjatë pjesës më të madhe të gjysmës së dytë të vitit 2022.

Forcat ruse kanë luftuar për muaj të tërë për të kapur Bakhmut-in.

Por çdo fitore do të kishte një kosto masive, me trupat nga të dyja palët që kishin marrë humbje të mëdha në disa prej luftimeve më intensive që kur Rusia pushtoi Ukrainën gati 11 muaj më parë.

Qeveria ukrainase ka publikuar ditët e fundit fotografi që tregojnë, siç thotë ajo, dhjetëra ushtarë rusë të shpërndarë në fusha me baltë.

Moska thotë se kapja e Bakhmut-it do të ishte një hap i madh drejt marrjes së kontrollit të plotë të rajonit të Donetsk-ut, një nga katër provincat që pretendonte se kishte aneksuar tre muaj më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore