Shqipëria

BERZH: Shqipëria, e vetmja në Evropën Lindore ku nuk është rritur kënaqësia për të jetuar


Paçka se Shqipëria ka pasur ndër rritjet më të larta të ekonomisë në rajon, kënaqësia për të jetuar nuk ka ndryshuar.

Përkundrazi, rezulton të jetë më e ulët se në vitin 2006.

Ndërkohë, në të gjitha vendet e Evropës Juglindore e Ballkanit Perëndimor, kënaqësia për të jetuar është rritur dukshëm në krahasim me vitin 2016, duke reflektuar përmirësimin e të ardhurave.

Kështu bëhet me dija në raportin e fundit të tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Rezultatet e kënaqësisë janë rritur me kalimin e kohës në shumicën e ekonomive Një rajon që ka bërë përparim të konsiderueshëm që nga viti 2016 është Evropa Juglindore, me pothuajse të gjitha vendet që shënojnë rritje të ndjeshme të kënaqësisë (përjashtimi i vetëm është Shqipëria, ku ky rezultat ka mbetur pak a shumë i pandryshuar)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, përqindja e njerëzve të kënaqur në Greqi është dyfishuar që nga viti 2016, duke reflektuar përmirësime dramatike në situatën ekonomike të vendit gjatë gjashtë apo shtatë viteve të fundit.

Niveli i kënaqësisë së jetesës së shqiptarëve – referuar grafikut që shoqëron raportin – është njëlloj si në vitin 2016, ndërkohë që është dhe më e ulët se në vitin 2006, kur ka filluar matja e këtij indeksi.

Në vitin 2006, Shqipëria ishte një nga vendet që kishte kënaqësinë më të lartë të të jetuarit në rajonin e BERZH.

Kurse në vitin 2022, vendi renditet ndër të fundit në rajonin e BERZH, së bashku me Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Turqinë dhe Lituaninë.

Në Maqedoninë e Veriut, kënaqësia e të jetuarit është më e larta historike në vitin 2022, kur në 2006-n ishte ndër më të ulëtat në rajon.

Kosova është një nga shtetet më optimiste në rajonin e BERZH, e treta pas Sllovenisë dhe Estonisë nga shtetet e Evropës, me një rritje të ndjeshme në krahasim me raportet e mëparshme.

Pas shtetasve të Kosovës, renditet Serbia, e më pas Bosnjë Hercegovina.

Rritja mesatare e kënaqësisë së jetesës në rajon, sipas raportit, “ndoshta reflekton rritjen e të ardhurave, zhvillime të favorshme në tregjet e punës dhe përmirësime në shëndet.

Vlerësimet e njerëzve për shëndetin e tyre janë përmirësuar ndjeshëm me kalimin e kohës, me vlerësime të tilla që përfshijnë jo vetëm aspektet fizike, por edhe shëndetin mendor.

Rezultatet tregojnë se shqetësimi mendor shoqërohet me kënaqësi më të ulët dhe priret të jetë më i përhapur në vendet më të varfra dhe në mesin e individëve që janë financiarisht të pasigurt.

Ndërkaq, rritja e lumturisë me kalimin e kohës ka qenë e gjerë dhe jo e përqendruar në grupe të caktuara.

Në të gjitha grupmoshat, nivelet e kënaqësisë nga jeta janë, mesatarisht, dukshëm më të larta se sa në vitin 2006, si dhe janë më të larta se në vitet 2010 dhe 2016.

Për të dyja gjinitë, lumturia bie në mënyrë të qëndrueshme me rritjen e moshës, por përmirësohet sërish në vitet e mëvonshme.

Të dhënat përputhen me modelin në formë U-je, që gjendet në shumicën e literaturës mbi lumturinë, megjithëse pika e kthesës vjen pak më vonë se zakonisht në rajonet e BERZH-it.

Po ashtu nivelet e kënaqësisë nga jeta janë rritur në mënyrë të qëndrueshme si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore