Lajme

Bërnabiç thotë se u provokua nga Osmani


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug se në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në që u mbajt Turqi, u provokua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit iu bëri thirrje vendeve pjesëmarrësve që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë këtë.

“Pati provokime dhe unë u përgjigja shkurtimisht, sepse nga respekti për nikoqirët, nuk doja të hyja në ndonjë diskutim me të”, tha Bërnabiç.

Sipas saj, sjellja Osmanit në këtë takim flet për mungesën e mirësjelljes politike të përfaqësuesve të Kosovës.

“Unë nuk kam dashur të merrem me këtë. Me atë fjalim. Ajo foli më së miri për veten e saj dhe mirësjelljen e tyre politike, domethënë për mungesën e saj”, shtoi ajo.

Ndërkaq zyra e presidentes Osmani, përmes një deklarate për media, kanë bërë të ditur se në këtë samit i cili sivjet u mbajt për herë të 25-të, presidentja Osmani të fliste lidhur me qëndrimet e Kosovës për sa i përket bashkëpunimit rajonal, adresimit të sfidave të pandemisë, si dhe integrimit euro-atlantik.

Po ashtu Osmani gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë do të ketë edhe takime bilaterale edhe me disa përfaqësues të vendeve të ndryshme.

Ajo do ta takojë edhe Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe Ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Makhdoom Shah Mahmood Qureshi.

Nga data 8 korrik 2019 deri më datën 1 korrik 2020, Kosova pati kryesuar punimet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në të gjitha nivelet, përfshirë dimensionin parlamentar.

Kjo ishte hera e parë që Kosova kryeson një forum rajonal i cili ka si anëtarë vendet e Evropës Juglindore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore