Lajme

Bërnabiç s’pret ndryshim të politikës amerikane ndaj Serbisë


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se nuk pret që letra e një grupi të kongresistëve amerikanë, dërguar presidentit amerikan, Joe Biden, ta ndryshojë politikën e SHBA-së ndaj Serbisë.

“Mund të jem naive, por nuk pres asgjë”, tha Bërnabiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Disa kongresistë amerikanë i kanë bërë thirrje Bidenit që të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj personave të caktuar, të cilët, siç kanë thënë, kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Në atë letër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, akuzohet për thellim të korrupsionit dhe thuhet se liria e mediave në Serbi ka arritur në pikën e re më të ulët.

Mediat pro-qeveritare, thuhet në letër, kanë avancuar në zhvillimin e “marrëdhënieve reciprokisht të dobishme me Qeverinë”, ndërsa punët e kompanisë shtetërore “Telekom Srbija” janë “të mbuluara me fshehtësi”.

Bërnabiq theksoi se është më se e qartë se letra është rezultat i një fushate të lobimit.

Më herët, presidenti i Serbisë, Vuçiç ka thënë se duket sikur “dikush ka shkruar qëllimisht kundër Telekomit” dhe se ai është gjendur aty “ashtu si udhës”.

“Shkruani rezoluta, shkruani deklarata, shkruani çfarë të doni, në fund të gjithë ne qëndrojmë para qytetarëve të Serbisë dhe ata e marrin vendimin përfundimtar”, pati thënë Vuçiç.

Letra është nënshkruar nga kongresistët: Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore