Lajme

Bërnabiç i ankohet Donfried: Kosova s’po e themelon Asociacionin, jemi të gatshëm për dialog


Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështje të Euroazisë, Karen Donfried, është takuar me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç dhe kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral, dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimeve evropiane, njoftoi kabineti i Bërnabiç.

Karen Donfried tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe shtoi se vendi i saj mbështet fuqishëm procesin e integrimit evropian të rajonit.

Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se Serbia është e hapur dhe e gatshme për të vazhduar dialogun dhe përkujtoi se Prishtina ende nuk ka bërë asgjë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, “për të cilin është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit nëntë vjet më parë”.

Ajo shtoi se ka bashkëpunim dhe komunikim të mirë me KFOR-in.

“Procesi i integrimit evropian dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit rajonal janë të një rëndësie kyçe për Serbinë dhe se paqja dhe stabiliteti janë thelbësore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, tha Bërnabiç.

“Serbia është e përkushtuar për vazhdimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe pjesa më e rëndësishme e kësaj pune është bërë me miratimin e amendamenteve kushtetuese në janar të këtij viti, që është parakusht për forcimin e pavarësisë dhe autonomisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Donfried paraprakisht është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ajo po ashtu vizitoi Kosovën, ndërsa të mërkurën e 26 prillit do të shkoi në Bosnje dhe Hercegovinë, derisa ka planifikuar gjithashtu ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore