Lajme

Bërnabiç e cilëson Këshillin e Evropës si organizatë hipokrite


Ana Bërnabiç

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, është shprehur e indinjuar me Këshillin e Evropës, meqë kjo organizatë ndërkombëtare pritet ta pranojë Kosovën si anëtare të saj të radhës, duke potencuar se KiE me këtë “veprim po shkel statutin dhe vlerat e tij”.

Bërnabiç, sikur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e ka anashkaluar mundësinë që Serbia të largohet nga kjo organizatë ndërkombëtare në rast se në të pranohet Kosova, duke deklaruar se “nuk është nevoja për të qenë pjesë e një hipokrizie”.

Këto komente të ish-kryeministres Bërnabiç vijnë pas deklaratave të raportueses së Kosovës në Parlamentin Evorpian, Viola von Cramon, e cila i quajti blof deklaratat e presidentit Vuçiç se Serbia mund të largohet nga Këshilli i Evropës.

“Ne nuk bëjmë blof”, shkroi Bërnabiç në platformën sociale, X, ndërsa pretendoi se pikërisht Perëndimi është ai që po bën blof e po gënjen kur në pyetje është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Ju nuk keni bërë vetëm blof, por keni gënjyer plotësisht për themelimin e Asociacionit, e cila është shtylla kurrizore e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Në më pak se një muaj, më 19 prill, ne do të shënojmë 11 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Ku është Asociacioni? Kjo nuk e vë në pikëpyetje kredibilitetin e Kosovës, kjo dëmton seriozisht kredibilitetin e BE-së”, ka pretenduar Bërnabiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e ka anashkaluar mundësinë që Serbia ta braktisë Këshillin e Evropës në rast se në të anëtarësohet Kosova.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, në vlerësimin e Vuçiç-it, është de facto dëbimi i Serbisë.

I frustruar me mundësinë reale të inkuadrimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, Vuçiç ka pretenduar se KiE është një mekanizëm që vendos “për asgjë”.

Në anën tjetër paralajmërimin e Vuçiç-it, von Cramon, e ka cilësuar si blofin e radhës së tij, meqë në vlerësimin e saj është e sigurt që Serbia nuk largohet nga kjo organizëm ndërkombëtar.

“Deklarata nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt”, ka shkruar von Cramon në platformën sociale, X, duke iu referuar deklaratave të fundit të Vuçiç-it në raport me Këshillin e Evropës.

Anëtarët e Këshillit të Evropës, sipas eurodeputetes gjermane, do të vendosin vetë se kë do të pranojnë.

“Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, është shprehur ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore