Lajme

Berishaj vazhdon të ushtrojë detyrën e ambasadorit, takohet me homologun e tij korean


Martin Berishaj dhe Hong Sung-Wook

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas skandalit në Slloveni, ku emri i tij u lakua si sekser në një aferë të madhe financiare, këtë të mërkurë ka pritur në takim, ambasadorin e Koresë, Hong Sung-Wook.

Një gjë e tillë është bërë e ditur në faqen zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Zagreb në Facebook, ku Berishaj, nga fotografia e postuar shihet i disponuar në prani të homologut korean, me të cilën thuhet se kanë biseduar për situatën e krijuar në botë pas invazionit rus në Ukrainë.

“Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet e mira me shtetin korean, duke vu në pah mbështetjen që pritet të na bëjnë lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Çka ndodhi?

Të enjten e 21 prillit një media sllovene, TV Planet, zbuloi një afër financiare ku dyshohej për shpëlarje parash dhe në të përfshihej opozitari, Robert Golob, kryetar i partisë Lëvizja për Liri dhe gjithashtu edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Media sllovene raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

Albanian Post më vonë kuptoi se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Një ditë pas skandalit Albanian Post, realizoi një një intervistë me gazetarin slloven Primoz Cirman. Ai tha se Skandalin e fabrikoi Janez Jansha (ish-kryeministri i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifiuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Më vonë, AP intervistoi edhe gazetarin dhe producentin e TV Planet, Bojan Pozar, i cili në mënyrë të prerë deklaroi se Berishaj është akteri kryesor i këtij rrëfimi.

“Ai [Martin Berishaj] është themeluesi i ndërmarrjes të lartpërmendur (MB Consulting), ai ka pranuar paratë dhe ai ka transferuar paratë tutje”, tha Pozar në një intervistë për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore