Shqipëria

Berisha zyrtarizon kandidaturën për kryetar të PD-së


Ish-lideri i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka deklaruar se e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të PD-së duke plotësuar dokumentet.

“Do të kandidoj dhe i kam plotësuar dokumentet, do t’i dorëzoj dhe do t’u drejtohem shqiptarëve në mënyrën më besimplotë se kandidoj si dëshmi e respektit, e dashurisë, e pasionit tim për të ndryshuar për mirë jetën e tyre”, tha ai.

I pyetur nëse “mund” të garojë i vetëm për kreun e PD-së, ai tha se kjo do të zgjidhet me referendum më 22 maj.

“Do të jem një lider referendar. Nuk jam Edi Rama, që të shpik rivalë. Nëse zgjidhem me referendum, nëse nuk zgjidhem i nënshtrohem verdiktit të tyre referendar”, u përgjigj Berisha.

Po ashtu, ish-lideri i demokratëve denoncoi atë që ai e cilësoi si fushatën e paimagjinueshme të financuar me miliona euro nga qeveria.

Më herët, ai dënoi vdekjen e 31-vjeçarit në burgun e Kavajës.

Kështu ish-kryeministri kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe bëri thirrje për protestë, të shtunën e 7 majit, në orën 20:00, pranë Komisariateve.

Protesta, sipas Berishës, do të jetë paqësore, ku do të ndizen qirinj në shenjë solidarizimi për vdekjen e të riut.

“Duke dënuar këtë qëndrim çnjerëzor të drejtuesve të shtetit, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Çuçi. Ndërkohë unë do t’i propozoj sot Komisionit të Rithemelimit nesër para të gjitha komisariateve të Shqipërisë në orën 8 të ndizen qirinj në një protestë të heshtur paqësore, stop vrasjeve në Komisariate”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore