Shqipëria

Berisha thyen heshtjen zgjedhore për Fredi Belerin


Lideri i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Sali Berisha ka thyer heshtjen zgjedhore duke u bërë thirrje banorëve të Bashkisë Himarë, që të dalin të gjithë në votime.

Lajmi u bë i ditur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Twitter”.

“Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar policesk, ju bëj thirrje banorëve të Bashkisë Himarë, të dalin të gjithë në votime dhe të votojnë për mbrojtjen e pronave të tyre nga Edi Rama dhe banda e tij në bashkinë e Himarës”, shkruan Berisha.

Sipas tij, arrestimi i Belerit është një “akt stalinist i Edi Ramës”.

“Ai, për interesa të tij mafioze, urdhëron mbajtjen në burg të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ të rrëmbyer në mesnatë nga narkopolicia, Fredi Bejleri për të siguruar kështu vazhdimin e kontrollit të tij mafioz, të plotë mbi trojet dhe tokat e banorëve të Himarës”, nënvizon Berisha.

Kujtojmë që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri, do të mbetet në burg nën akuzën për shit-blerje votash dhe dosja e tij do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Gjyqi i zhvilluar në Gjykatën e Vlorës tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit publik, duke qenë se ishte edhe incidenti më i madh zgjedhor, pas disa deklaratave që Beleri kishte bërë për “helenizimin” e Himarës, në një intervistë me gazetën greke “Protothema”.

Lidhur me këtë zhvillimi pati edhe një ballafaqim mes diplomacisë shqiptare dhe asaj greke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore