Shqipëria

Berisha: Refuzova Gazprom-in, qëndrova në mbështetje të interesave të popullit


Ish-kryeministri, Sali Berisha, përmes një deklarate për mediat para Kuvendit bëri me dije se ka refuzuar një “ofertë marramendëse” nga kompania ruse e gazit Gazprom në kohën që ka qenë kryeministër, duke preferuar të nënshkruajë marrëveshjen me TAP-in.

Ai theksoi se ndihet krenar për këtë marrëveshje, që është në interes të shqiptarëve.

“Unë dua t’ju rrëfej se në të gjithë agjendën time 8-vjeçare me Washingtonin dy kanë qenë problemet më madhore, TAP dhe NATO-ja. Kam mirënjohje të pa kufijshme për qeveritarët, ministrat, këshilltarët e mi që punuan në qindra takime me përkushtim të madh derisa më në fund u firmos kontrata. Tirana u bë kryeqyteti i Ballkanit për TAP-in”.

Sipas ish-kryetarit të PD-së, të gjitha këto kanë kërkuar energji dhe përkushtim të madh.

“Dua të them një mesazh për ata që shpallën Sali Berishën non grata. I them mafies së Goerge Soros se vetëm për TAP-in Berishës i janë ofruar shumë më përrallore, por ai qëndroi në mbrojtje të interesave të popullit të tij. Më erdhi oferta nga Gazprom. Ethet e gazit kanë përfshirë të gjithë Evropën, ajo do të japë një çlirim të madh”.

Berisha tha se gazsjellësi TAP ka transportuar 10 bcm-të e para në Itali.

Sipas tij, kjo është një arritje në të cilën Shqipëria dhe qeveria që ai kryesoi, luajti një rol përcaktues pas Azerbajxhanit dhe presidentit të atij vendi.

“TAP-i mund të ishte TAP vetëm nëse kalonte në territorin e Shqipërisë, territor në të cilin gazi rus nuk mund të kalonte”.

Ai ravijëzoi se Zoti i ka dhënë Shqipërisë një pozicion si asnjë vend tjetër në Ballkan.

“E kanë dashur shumë këtë pozicion, edhe të huajt. Unë po merrem me intensitetin më të madh për bashkimin e PD-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore