Shqipëria

Berisha: Rama ka kryer krime kundër njerëzimit në Lazarat


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri se kanë kryer krime kundër njerëzimit në Lazarat.

“U ktheva më i impresionuar se kurrë në 30 vite nga vizita ime në Lazarat. Në ato rrëfime konstatova se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit. Në këtë fshat, krime të vërteta me operacionet antidrogë, bandat kriminale me uniformë nuk kanë hezituar të vendosin tyta automatiku në gjoks fëmijëve 2-3 vjeçar”.

Sipas tij, do të ketë së shpejti grupe hetimi për të vërtetuar akuzat e tij dhe për t’i dhënë ndëshkimin e merituar të gjithë përgjegjësve të supozuar nga vetë Berisha.

“Terorrizëm të tillë, banorët nuk e kanë parë në të gjithë ekzistencën e tij. Garantoj banorët se shumë shpejt do organizojmë grupe hetime. Përgjegjësit do të marrin ndëshkimin e merituar”.

Gjithashtu ai përmendi dhe takimin me banorët në Gjirokastër, ku tha se vuri re shpopullim masiv.

“Vizitova Dervicanin, Dropullin, po shkretohej minoriteti, tokat e mbetura djerrë. Ajo zonë ka ende pesë ndërmarrjet më të mëdha të Shqipërisë. Dhe pas ndërtimit të Unazës së Jugut, nuk u dërgohet korrenti 20 kv. Zonat kanë qenë të shtypura, sot ndihen të braktisura. Ju thashë, Edi Rama mund të vijë e të thojë fjalë greqisht, por është armik i lirive të tyre. Bëj thirrje të gjithë banorëve të jugut të lidhemi në një betim solemn, të lëmë dallimet partiake, sot armik i lirive të tyre është sekti i Rilindjes që vjedh e plaçkit çdo ditë”, tha Berisha.

Ndërsa nga takimi me banorët në Gjirokastër tha se vuri re shpopullim masiv dhe i mbeti në mendje fjala e një nëne që kishte vështirësi ekonomike dhe nuk arrinte dot të merrte as një certifikatë.

“Është i paimagjinueshëm se rrënimi ekonomik si shkak kryesor i këtij shpopullimi tejkalon të gjitha përmasat. E kam menduar disa herë udhëtimin tim. Mund ta vlerësoj si udhëtimin në katakombet e biznesit të jugut. Do t’u jap vetëm një shembull. Në Libohovë, nga 50 kompani ndërtimi që kishte në 2013, sot nuk kishte asnjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore