Shqipëria

Berisha: PD e hapur për çdo anëtar, 6 marsi mesazh bashkimi


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përmes një deklarate për mediat para Kuvendit, mesditën e 24 marsit, ka bërë me dije se Partia Demokratike është e hapur për të diskutuar me çdo anëtar.

“Së pari garantoj demokratët në të gjitha nivelet se PD është e hapur dhe me vullnet të plotë për të diskutuar dhe debatuar me çdo anëtar të saj cilido qoftë ai. Jemi të hapur të bëjmë gjithçka për garantimin e votës së lirë dhe bashkimin rreth votës së lirë”.

Ndër të tjera, Berisha bëri me dije se nuk i njeh qëndrimet e kryesisë, pasi sipas tij janë të shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit, ndërsa shtoi se është i hapur për t’u diskutuar.

“Nuk bëhet fjalë për një kryesi, pasi ajo është shkarkuar më 11 dhjetor. Kjo nuk do të thotë se fjala e demokratëve, cilido qoftë ai, nuk dëgjohet dhe nuk përfillet. Sanksionimin më të plotë 11 dhjetori e mori më 6 mars. Ajo që unë dua të theksoj, është se PD ka institucionin e saj tashmë, operativ e të plotë dhe ky është grupi parlamentar”.

“Bashizmi”, sipas tij, “ishte doktrinë e dhunimit të statutit, institucioneve e parimeve të partisë”.

Nga ana tjetër, deputetja e PD-së, Grida Duma, është shprehur se në qëllimin për bashkimin e PD-së nuk duhet të vihen as kushte paraprake dhe as përjashtime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore