Shqipëria

Berisha ngre padi ndaj Blinken-it për shpifje publike


Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për shtyp pas vendimit të sekretarit të shtetit amerikan, Anthony Blinken, i cili të mërkurën e 19 majit e shpalli Berishën dhe familjen e tij persona non grata.

Që në fillim të konferencës, ai ka bërë me dije se “kam autorizuar avokatin tim që të ngrejë një padi direkte për sekretarin e shtetit, Anthony Blinken, për shpifje publike, në Gjykatën e Parisit”.

Në vijim, ai e ka vënë theksin te mungesa e provave, të cilat, sipas tij, Blinken duhet që t’i publikojë.

“Në qoftë se sekretari do të paraqiste prova, do të konsideroja çdo gjë. Jo prova të montuara në Tiranë, por të shqyrtoheshin prova. Provat le t’i nxjerrin. Unë kam hapur gjyq, le t’i paraqiten para gjykatës provat”, shprehet Berisha.

Gjithashtu, Berisha tha se Blinken “mund të mendojë se si Sekretar Shteti ai përfiton imunitet”, por sipas tij “kjo është gënjeshtër”.

“Imuniteti sot vlerësohet nga Gjykata, në mënyrë relative, çka do të thotë se Blinken është i mbrojtur nga imuniteti kur ai kryen akte normale, si përfaqësues i qeverisë së tij”, iu drejtua Blinken-it.

Akuzat ndaj Blinken-it

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka vazhduar me akuzat ndaj Blinken-it.

“Kur Blinken bëhet autor i një komedie e montazhi politik i destinuar për të më dëmtuar mua, nuk hyn në funksionet e një ministri. Asnjë qeveri, cilado qoftë ajo, s’mund të ketë funksion shpifjen e përbaltjen. Sipas avokatit tim, që unë kam konsultuar, Blinken nuk është i mbrojtur me asnjë imunitet”, tha Berisha.

Po ashtu, ka sulmuar dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Rama ka pasur një tendencë për ndryshimin e kufijve të Kosovës, projekt ogurzi, dhe jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur. Unë çdo gjë e kisha publike. Ata që e iniciuan, e mohuan. Unë nuk mund të hiqja dorë”, deklaroi Berisha.

Mbështetja e PD-së ndaj Berishës

Ish-presidenti, ndër të tjera, ka komentuar dhe qëndrimin e kreut të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Bashës, dhe përfaqësuesve të tjerë të PD-së.

“Tani unë mendoj se PD-ja një qëndrim do të shprehte, dhe jam dakord me qëndrimin e Bashës, unë jam pjesë e asaj partie”.

Sa i përket qëndrimit të presidentit të Republikës, Ilir Metës, i cili nuk ka dalë në një reagim, Berisha tha se “ai nuk ka shkak të prononcohet”.

Ish-kryeministri i Shqipërisë ka komentuar dhe kërkesën e kryeministrit Rama për bashkëqeverisje, për të cilën thotë së “bashkëqeverisja është fatalitet për Shqipërinë dhe nuk i shërben”.

“Së pari grupi parlamentar s’ka asnjë lidhje me betejën time. Do e bëjnë avoketërit dhe Berisha, grupi parlamentar ka detyrat e veta”, tha Berisha.

Berisha përgënjeshtron akuzat ndaj familjes së tij

Pyetjes së Albanian Post (AP), në lidhje me akuzat ndaj familjarëve të tij, Berisha ju përgjigj duke i përgënjeshtruar ato.

“Në vlerësimin tim, familjarët e mi, njëlloj si unë kanë respektuar me rigorozitetin më të madh ligjin e vetit”, u shpreh ish-kryeministri i vendit.

Sa u përket akuzave ndaj dhëndrit të tij, për të cilin pretendohet se ka privatizuar kompleksin “Partizani”, Berisha u tha se, “dhëndri nuk ka marrë asnjë centimetër tokë”.

Gjithashtu shtoi se, për këtë çështje, është hapur një proces gjyqësor.

I pyetur nëse ka qenë në dijeni më parë për këtë veprim të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Berisha deklaroi se ka pasur një tendencë të tillë, të shpallej si persona non grata, për shkak të kundërshtimit që i ka bërë projektit të ndarjes së Kosovës apo ndryshimit të kufijve.

“Ka pasur një tendencë, për shkak të kundërshtimit që i bëra projektit të ndarjes së Kosovës apo ndryshimit të kufijve, projekt çnjerëzor, ogurzi, dhe jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur”.

Përgjigje ndaj akuzave të DASH-it

Berisha thotë se, pas vendimit të DASH-it mund të mos jetë George Soros, edhe pse ai e pranon se e ka sulmuar hapur Sorosin, duke e cilësuar si kryespekulant të planetit dhe armik të demokracisë shqiptare.

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur akuzës së DASH se gjatë pushtetit ka ndihmuar aleatët e tij të përfitonin.

Ai ka përmendur dhe ish-ministrin Fatmir Mediun, të cilit iu hoq imuniteti pas shpërthimit të Gërdecit.

Gjithashtu, Berisha nuk iu përgjigj pyetjes se kush do ta paguajë avokatin që do të ndjekë çështjen e tij.

Në përmbyllje të konferencës, i pyetur nëse do të japë dorëheqjen si deputet i parlamentit shqiptar, ai tha se kjo gjë nuk do të ndodhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore