Shqipëria

Berisha: Një aventurier refuzoi ftesën për në Bruksel, vendimi u mor nga padroni në Beograd


Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat mesditën e 22 qershorit, ka vënë theksin te mospjesëmarrja e mundshme e kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama, ditën e nesërme, në samitin e Bashkimit Evropian.

“Ndodhi që një aventurier, vasal, pa interesa vendi dhe interesa kombëtare, të deklarojë dje se refuzoj ftesën dhe nuk kam pse shkoj në Bruksel. Ky vendim merret më parë në Beograd, shpallet nga padroni i tij”, deklaroi Berisha, duke iu referuar kryeministrit Rama.

Një ditë më parë, kreu i qeverisë shqiptare nuk dha sinjale pozitive, duke u shprehur se s’ka mbetur asgjë për të bërë aty – referuar samitit të Bashkimit Evropian (BE).

“‘Jo, më fal!’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë mund të bëjmë aty?!”, pyeste Rama në median sociale Twitter.

Për mediat, Berisha gjithashtu theksoi se Shqipëria po rreshtohet në anën e kundërt të historisë.

“Ballkani i Hapur, që u themelua në Novisad, sipas themeluesit të saj Aleksandër Vuçiç, 3 ditë pas samitit, u shpall se kjo është Jugosllavia e vjetër plus Shqipëria. Në këtë proces të pranimit nga Edi Rama të hegjemonisë serbe në rajon u formua aleanca trilaterale”.

Sipas tij, ky proces solli një përçarje mes Shqipërisë dhe Kosovës, “solli atë të cilën asnjë shqiptar nuk mund ta imagjinonte”.

Ndër të tjera, kreu i demokratëve paralajmëroi një protestë të fortë ndaj kryeministrit Rama, për shkak të bojkotit të pritshëm të samitit të BE-së ditën e nesërme.

“Ai dje u nis turist në Francë. Normalisht nuk do mund të kthehej më. Ai duhet të rrinte atje azilant me aktin që po projekton. Edhe atje, po t’i jepnin azil, pastaj do shkonte në Beograd”.

Sipas tij, Rama e ka shndërruar Tiranën në “Beograd të vogël”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore