Shqipëria

Rama për samitin e BE-së: Çfarë mund të bëjmë aty?


Kryeministri Edi Rama, në një postim në Twitter, ka reaguar lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Kreu i qeverisë shqiptare nuk ka dhënë sinjale pozitive duke u shprehur se s’ka mbetur asgjë për të bërë aty – referuar samitit.

“‘Jo, më fal!’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë mund të bëjmë aty?!”, pyet Rama.

Kujtojmë që vendimi i Shqipërisë do të bashkërendohet me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Udhëheqësit kanë biseduar në orët e para të 21 qershorit lidhur me vendimin përfundimtar, i cili pritet të vijë gjatë ditës së nesërme.

“Tre liderët janë pajtuar që, pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët e tyre përkatës, nesër në mesditë do të shpallin vendimin nëse do të marrin pjesë në këtë mbledhje”, shkruan presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Në të njëjtën mënyrë reagoi edhe kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski.

Ky i fundit njoftoi në median sociale Facebook se bisedoi me presidentin serb dhe homologun e tij shqiptar për samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Konferenca e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor do të zhvillohet më 23 qershor në Bruksel.

Ajo do të përkojë me ditën e dytë të sesionit të planifikuar të Këshillit Evropian më 23 dhe 24 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore