Shqipëria

Berisha nga Durrësi nuk i kursen akuzat ndaj Bashës: Votoni Ardi Mukën


Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatit për Bashkinë e Durrësit, nuk i kurseu akuzat për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Berisha theksoi se Basha një ditë më parë u thirr nga Prokuroria belge për të dëshmuar rreth çështjes “Toyota Yaris’, pasi ai dyshohet se ka bashkëpunuar me një organizatë kriminale që transportonte para trafiku.

“Ja mbylli Edi Rama ‘Toyota Yaris’, por prokurorët e Belgjikës do i shkojnë deri në fund këtij operacioni”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Sipas ish-kryeministrit Basha nuk u shfaq dje të prezantonte kandidatin e Durrësit për PD-në, Luan Hotin, por “u fsheh pas Ervin Salianjit dhe Grida Dumës”.

Po ashtu Berisha akuzoi Bashën se ka përfituar me tendera me qeverinë, siç është ai i Portit të Durrësit. Ai vijoi duke hedhur akuza se porti është kthyer në pronë të Bashës dhe Ramës.

Në përfundim ai bëri thirrje që durrsakët të votojnë kandidatin e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë”, Ardi Mukën.

“Luan hiq dorë. Çdo votë, ju bëj thirrje për Ardi Mukën. U bëj thirrje demokratëve kudo ku janë. Me bashkimin tonë realizojmë ndryshimin e Shqipërisë”, ishte thirrja e Berishës për qytetarët e Durrësit.

 

Basha në SPAK

Pas më shumë se dy orësh në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Basha, në një prononcim për mediat ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë në çdo rast të nevojshëm.

Pasditen e 10 shkurtit, ai u mor në pyetje nga prokurorët belgë në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”.

“Kam kënaqësinë të jem përsëri me praninë e përfaqësuesit e drejtësisë belge që kanë konfirmuar të vërtetën dhe kanë hedhur poshtë gënjeshtrën”, tha fillimisht Basha në fjalën e tij.

Sa i takon kësaj çështjeje, ai u shpreh se në Belgjikë akoma po hetohet, ndryshe nga këtu që është mbyllur.

“Paratë e konfiskuara mbeten të konfiskuara. Hetimi në Belgjikë vazhdon dhe ata janë të angazhuar ta dërgojnë deri në fund. Në këtë kuadër, do të bashkëpunoj me drejtësinë belge dhe të çdo vendi partner në luftën ndaj korrupsionit”, ravijëzoi Basha.

Sipas tij, krimi i organizuar është problem i madh dhe se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm e tij, por edhe e Partisë Demokratike.

“Duan apo nuk duan të korruptuarit, non grata-t e shpallur e të pashpallur, unë do të jem në dispozicion të drejtësisë”.

Në përfundim, ai tha se, “punonjësit e ndershëm të SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtarë të Hetimit kanë mbështetjen tonë në këtë luftë”.

Dosja “Toyota Yaris”

Sa u përket hetimeve, Gjykata e Tiranës më 19 tetor 2021 ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burg Ervis Vladin.

Kjo për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në dy mjetet tip “Toyota Yaris”.

Këto të fundit kishin mbërritur në Portin e Durrësit nga Belgjika.

Vladi ishte një ndër gjashtë personat, të cilët u hetuan për këtë çështje.

Fillimisht të gjithë u hetuan për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.

Por, Gjykata e ka dënuar Vladin, duke e shpallur dhe fajtor për veprën penale “mosdeklarim të ardhurash në kufi ose sendeve me vlerë”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua me vetëm një vit burg.

Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka, për “armëmbajtje pa leje” me dy vjet e katër muaj heqje lirie.

Në qershor të vitit 2018, policia gjeti dhe sekuestroi dy makinat, ku u gjend dhe shuma e parave.

Kjo çështje trazoi dhe politikën në atë kohë.

Basha, nga foltorja e Kuvendit deklaroi për miliona euro të krimit, që po vinin në Shqipëri përmes automjeteve “Toyota”.

Tri ditë pas deklaratës së Bashës – në Durrës u kapën dy makina “Toyota Yaris” me disa miliona euro brenda tyre.

Tre persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i kompanisë që transportoi makinat.

Fillimisht, hetimet nisën nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo arrestoi dhe nxori masa sigurie për gjashtë persona si të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Por, më pas, Prokuroria shpalli moskompetencë dhe e kaloi dosjen në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit vlerësoi se nuk qëndronte akuza e mosdeklarimit të të hollave në kufij për të gjithë personat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore