Sport

Benatia pensionohet nga futbolli


Ish-futbollisti i skuadrave të njohura evropiane, si Juventus, Bayern Munich e Roma, Medhi Benatia, ka vendosur që të tërhiqet nga futbolli i luajtur, në moshën 34 vjeçare.

Ish-mbrojtësi nga Maroku, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se do të varë këpucët në gozhdë, pas një karriere të suksesshme në klube të ndryshme.

“Që nga mosha e re kisha ëndrrën e vetme që të bëhem futbollist. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë që të bëhesha profesionist në këtë sport”, shkruan Medhi Benatia.

“Pas 15 vjetësh në shërbim të mirë për futbollin, duke luajtur në garat më prestigjioze, vendosa ta mbyll karrierën”, ka shkruar Benatia në rrjetet sociale.

Kujtojmë që Benatia e nisi karrierën profesionale në moshën 18 vjeçare, ku fillimisht luajti në ligën e dytë franceze te skuadrat: Tours, Clermoont e Lorient.

Ai më pas u transferua në Serie A italiane te skuadra e Udinese-s, ku u forcua si futbollist, i cili më pas u transferua te Roma.

Te Roma luajti për një sezon, pastaj klubi i Bayern Munich e transferoi atë, për shumën e 28 milionë eurove.

Në Gjermani, Benatia luajti për tre sezone, për tu transferuar më pas te skuadra e Juventus-it, ku qëndroi tre vite.

Pas Italisë, 34 vjeçari provoi një eksperiencë edhe në Arabinë Saudite, ku ishte pjesë e skuadrës Al-Duhai për tre sezone.

Dhe në gusht të këtij viti, Benatia u transferua te klubi turk, Karagumruk, por aty ai zhvilloi vetëm një ndeshje.

Medhi Benatia gjithashtu numëron edhe 66 paraqitje zyrtare me kombëtaren e Marokut, prej të cilave ka realizuar edhe dy gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore