Lajme

Belgjika së shpejti me vetëm katër ditë pune në javë


Ka shumë gjasa që së shpejti në Belgjikë, të punohet vetëm katër ditë në javë dhe gjërat rreth kësaj do të qartësohen më së largu deri në ditën e hënë, kur qeveria belge pritet të dalë më një deklaratë konfirmuese.

Lajmin e ka bërë të ditur, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punës dhe Ekonomisë në Qeverinë belge, Pierre Yves Dermagne, i cili në një prononcim për “Euronews” ka thënë se kjo temë “aktualisht po diskutohet brenda qeverisë federale belge”, si pjesë e një programi më të gjerë të reformave të tregut të punës.

Pierre Yves Dermagne – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punës dhe Ekonomisë në Qeverinë Belge.

“Më tepër detaje dhe qartësi në lidhje me këtë propozim, do të jepen të dielën ose eventualisht të hënën”, ka thënë Dermagne.

Dermagne e konsideron javën e punës katër-ditore si “çështje themelore”, pasi që sipas tij, pandemia COVID-19 krijoi ndryshime të mëdha në situatat e punës të shumë njerëzve.

“Njerëzit do të punonin ende të njëjtin numër orësh në javë sipas propozimeve që diskutoheshin”, shtoi ai.

Sipas pikëpamjes së Dermagne, legjislacioni i ri që rregullon një javë katër-ditore duhet të përmbajë gjithashtu dispozita për një ligj “të drejtë për shkëputje”, si dhe rregulla për regjistrimin e kohës së punës.

Të punosh katër ditë në javë në vitin 2022?

Pasi që propozimi të prezantohet zyrtarisht dhe të pranohet, qeveria federale e Belgjikës do të përpunojë detajet e kalimit në një pune katër ditore, në bashkëpunim me përfaqësuesit e industrisë dhe sindikatat.

“Ky proces mund të zgjasë të paktën gjashtë muaj”, ka vlerësuar Pierre Yves Dermagne, pak kohë para se të fillojë procesi politik i kalimit të propozimit në ligj.

“Por gjithsesi, Qeveria nuk ka ndërmend të bëjë një javë katër-ditore të detyrueshme”, ka shtuar ai.

Së fundmi, media “VTM Nieuws”, ka raportuar po ashtu se qeveria e koalicionit me shtatë parti në Belgjikë po merrte në konsideratë një propozim që do të shihte javën e tanishme të punës prej 38-40 orësh të kondensuar në katër ditë më të gjata pune.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore