Shqipëria

Begaj pritet me ceremoni shtetërore nga Osmani


Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten e ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Begaj është pritur me ceremoni shtetërore ku më pas vazhduan për në zyrën e Presidencës.

Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje, teksa takimi mes dy presidentëve po zhvillohet me dyer të mbyllura.

Ndërsa gjatë ditës Begaj pritet të takohet edhe me kryeministrin i Kosovës, Albin Kurti.

Ai është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

Edhe Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se me rastin e vizitës zyrtare të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Kosovë do të kujdesen që të ofrojnë siguri, të mbajnë rendin dhe qetësinë publike.

“Nga data 16 shkurt deri me 18 shkurt 2023, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Republikës së Shqipërisë,  SH. T. Z. Bajram Begaj, së bashku me një delegacion shoqërues të Presidencës”.

Gjithashtu me rastin e shënimit të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, gjatë realizimit të aktiviteteve festive lidhur me këtë shënim, për arsye të lëvizjeve të personaliteteve dhe pjesëmarrësve në shënimin e kësaj ngjarjeje, në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve.

Por nga policia është theksuar se do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore