Përballje

Befason Suedia, fiton bindshëm Rusia


Janë zhvilluar ndeshjet e para të xhiros së parafundit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, “Katar 2022”.

Rezultati më befasues i këtyre ndeshjeve të zhvilluara në orën 18:00 ishte humbja e Suedisë përballë Gjeorgjisë në udhëtim, me rezultat 2:0.

Suedezët e patën thuajse në tërësi lojën në kontroll, me pjesën e parë që mbeti me porta të paprekura.

Por në të dytën Gjeorgjia befasoi duke shënuar dy herë, me anë të sulmuesit Khvicha Kvaratskhelia, ku fillimisht në minutën e 61-të kaloi kombëtaren e tij në epërsi, pastaj në të 78-tën shënoi golin e fitores.

Me këtë humbje, kombëtarja suedeze ka lëshuar nga dora një mundësi të mirë për t’u kualifikuar direkt në Katar.

Suedia ende kryeson Grupin B, me 15 pikë të grumbulluara, por në vendin e dytë qëndron Spanja me 13, që në rast se sonte fiton ndaj Greqisë në udhëtim, atëherë do ta merrte vendin e parë.

Në ndeshjen tjetër të orës 18:00, Rusia deklasoi Qipron, duke e mundur me rezultat 6:0.

Rusët e hapën sfidën që në minutën e katërt me golin e shënuar nga Aleksandr Erokhin, por gjatë pjesës së parë, gola më nuk pati.

Por në të dytën Rusia arriti që të shënojë edhe pesë herë të tjera, për shifrat përfundimtare 6:0.

Me këtë fitore, Rusia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, pasi që pozicionohet në vendin e parë të Grupit H, me 22 pikë, katër më shumë se Kroacia e vendit të dytë, që sonte do ta zhvillojë ndeshjen në udhëtim te Malta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore