Shqipëria

BE: Zgjedhjet të mirëorganizuara, problem keqpërdorimi i fondeve publike


Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar mbi raportin e publikuar nga delegacioni i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Sipas njoftimit për shtyp nga ana e BE-së, raporti e konfirmoi faktin se zgjedhjet parlamentare ishin të organizuara mirë nga administrata zgjedhore. Gjithashtu, provon dhe faktin se ristrukturimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte i mirë.

Kjo, duke ravijëzuar faktin se ka pasur një proces transparent, duke gëzuar besimin e të dy palëve si KQZ.

Mbi rekomandimet, theksohet fakti i një kuadri zgjedhor që ka vend për përmirësim. Ky përmirësim vjen duke marrë parasysh rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Vendosja e standardeve ndërkombëtare për zgjedhjet, mbetet pikë kyçe. Nxitje vjen nga përfaqësia e BE-së për Parlamentin e ri, që të ndërmarrë një dialog konstruktiv për trajtimin e rekomandimeve mbi legjislacionin zgjedhor.

Po ashtu, nxitje shkon edhe për autoritetet kompetente shqiptare, lidhur me hetimet dhe procidimet që i përkasin shit-blerjes së votës.

Në përmbyllje, BE-ja cilëson vijimin e përkushtimit për të ndihmuar Shqipërinë në trajtimin e rekomandimeve nga OSBE-ODIHR.

Çfarë thotë konketisht raporti?

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri, duke i cilësuar ato si të mirëorganizuara nga administrata zgjedhore.

Në bazë të raportit, të drejtat kushtetuese për çdo qytetar mbi zgjedhjen e lirë të kandidatëve, u zbatuan. Po ashtu, Kodi Zgjedhor ofron fushën e përshtatshme për të zhvilluar zgjedhje demokratike.

Përtej kësaj, kandidatëve të pavarur nuk u ofrohet e njëjta e drejtë për t’u zgjedhur si kandidatët e subjekteve politike. Kjo, për shkak të pragut zgjedhor.

Ngritja dhe formatimi i ri i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ka qenë e mirë sipas raportit. Këtu, duke përmendur tre degëzimet e krijuara tashmë, me Komisionerin Qëndror të Zgjedhjeve, Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Liria e zhvillimit të fushatës zgjedhore është pranuar po ashtu si e frytshme.

Rekomandimet

Rekomandimi kryesor nga OSBE-ja, vjen mbi aspektin ligjor, i cili sipas raportit, duhet të adresojë thirrjet e ODIHR-it dhe Komisionet të Venecias, për një sërë paqëndrueshmërishë.

Duhet garantuar e drejta e një votimi të lirë dhe të fshehtë. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi votuesit, duhet parandaluar ose proceduar. Po e njëjta gjë sipas raportit, duhet të ndodhë edhe me fenomenin e shit-blerjes së votave.

Të dhënat e qytetarëve duhet të sigurohen. Kjo, duke nxitur edhe qytetarët që të raportojnë raste të faktuara. Institucionet ndërkaq, duhet të hetojnë dhe gjobisin çdo përpjekje të nxjerrjes së të dhënave në publik.

Në pikën e fundit me rëndësi të rekomandimeve, përfshihet edhe media. Kjo e fundit duhet të lejohet të raportojë zgjedhjet në mënyrë të pavarur, duke cekur gjithë aktivitetet elektorale dhe prodhimin e lajmeve.

Jo për Bashën!

“Më 25 prill, vullneti i shqiptarëve u tjetërsua”.

Kështu e ka komentuar kryedemokrati Lulzim Basha raportin përfundimtar të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), mbi zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Basha liston disa prej konkluzioneve nga raporti.

Mirëpo, në tërësi, raporti përmend se zgjedhjet kanë qenë të mirëorganizuara. Rekomandimet janë përqendruar në përmirësimin e legjislaturës për sa i përket zgjedhjeve dhe garantim të lirisë dhe autonomisë së votimit.

Sipas Bashës, konkluzionet e raportit, janë tërësisht indicie të tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve.

Blerja masive e votave, presioni ndaj votuesve, keqpërdorimi i administratës, përdorimi i fondeve për të orientuar votën apo i grupeve kriminale, si edhe vjedhja e të dhënave personale të votuesve, janë pikat më thelbësore për Bashën.

“E përmbledhur me dy fjalë: Masakër Zgjedhore!”, shkruan ai në përmbyllje të postimit.

Kryedemokrati ravijëzon po ashtu se 25 prilli, nuk kishte lidhje me demokracinë apo zgjedhjet e lira.

Masakra zgjedhore ka qenë një ndër kryefjalët e Bashës pas humbjes së 25 prillit përballë rivalit të tij, Edi Rama.

Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet me 74 karrige kuvendore të marra. Demokratët shënuar rritje në mandate krahasuar me zgjedhjet e 2017-ës, por nuk arritën të ndalonin fitoren e tretë radhazi të socialistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore