Lajme

BE: Zgjedhjet në Kosovë u organizuan mirë, i mangët ishte votimi jashtë vendit


Lukas Mandl dhe Albin Kurti

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, i udhëhequr nga eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, të cilët vizituan Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, prezantuan të gjeturat e raportit, ku mes tjerash është potencuar se zgjedhjet komunale të vitit 2021 ishin të organizuar mirë, liritë themelore u respektuan gjatë fushatës, dhe një numër i madh garuesish u ofruan votuesve një zgjedhje reale.

Për Mandl, raporti në fjalë është raporti më pozitiv ndonjëherë për Kosovën.

Raporti, po ashtu, vlerëson se KQZ-ja i bëri përgatitjet për zgjedhje në mënyrë profesionale, duke respektuar të gjitha afatet ligjore dhe gëzoi një nivel të lartë besimi nga të gjitha palët e interesuara dhe se pati një fushatë të decentralizuar dhe konkurruese”.

Megjithatë, raporti thekson edhe një numër mangësish të cilat duhet të adresohen në reformën zgjedhore sikurse ato mbi financimin e partive politike, kualifikimin e kandidatëve dhe rregullat e fushatës, votimin e qytetarëve jashtë vendit, saktësinë e listave të votuesve dhe mangësi të tjera në mënyrë që aspekti rregullativ të jetë sa më i qartë e sa më demokratik.

Në anën tjetër, Kurti, falënderoi misionin vëzhgues, duke theksuar nevojën për një raportim sa më të drejtë dhe përkushtimin për të shtyrë përpara procesin e reformave zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore